Katër grupe kriminale në “rrjetën” e policisë”, Albeu.com zbardh dosjen: Si u futën trafikantët në kurth nga agjenti i infiltruar

Albeu.com ka  siguruar dosjen e operacionit “Rrjeta” që tregon se si u zbuluan personat e akuzuar si të përfshirë në grupet kriminale që merreshin me trafik droge në zona të ndryshme të Elbasanit.

Në dosjen për “Vlerësimin e ndalimit, arrestimit në flagrancë dhe masës së sigurisë” që në fund mban vulën e drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi shkruhet se të ata shpërndanin lëndë narkotike të llojit kokainë, heroinë, ekstazi dhe kanabis që e përpunonin dhe e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje.

Mes 52 personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale janë Igli Merko, Denis Darzeza, Ahmet Kushi, Gavrosh Berati, Florenc Demiri, Arsen Vishkulli, Erist Skilja dhe Emirjan Dinja, të cilët dolën zbuluar nga agjenti i autorizuar me simbolin ‘K’ që blinte drogë dhe zbuloi se si e kryenin shitjen e lëndëve narkotike. Fillimisht bleu 2 qese kokainë me 10 maj nga Igli Merko.

Sipas dosjes të siguruar nga Albeu.com agjenti i autorizuar ndaloi para një bar-kafe rreth orës 19:30 në rrugën ‘Belul Berisha’, ku u afrua një automjet tip Audi që drejtohej nga Igli Merko. Pas bisedës u futën në një rrugicë ku agjenti e priti dhe për 3 minuta, Igli Merko doli nga dersa e një banese dhe i dha diçka në dorë. Agjenti u largua ndërsa Igli Merko u fut në automjet.

Më pas më 31 maj, agjenti i autorizuar u takua me një tjetër person të përfshirë në këtë veprimtari, Denis Darzeza. Të dy u takuan në orën 21:30 në afërsi të kryqëzimit të rrugëve ‘Jordan Misja’ dhe pasi biseduan pak, Denisi i dha në dorë diçka agjentit të autorizuar dhe u largua. Agjenti e dorëzoi në polici dhe rezultoi të ishte shishe plastike uji me mbishkrimin ‘Spring’ e mbushur me sasi të lëngshme e cila dyshohet të jetë metadon.

Ndërsa Ahmet Kushi akuzohet se merrej me shitjen e heroinës. Agjenti i autorizuar u takua me të në orën 11:40 të datës 2 qershor pranë pallatit që njihet me emrin ‘pallati kinez’, zonë ku vepronte Kushi për të marrë sasinë e heroinës.

Gavrosh Berati kryente veprimtarinë kriminale nga banesa e tij dhe gjatë gjithë kohës ka biseduar me agjentin e autorizuar nga brenda shtëpisë. Takimi i tyre është bërë në orën 17:30 në shesh parkimin e pallatit ku mori një qese me kokainë.

Me Emiljan Dinjën, agjenti është takuar 2 herë më 31 maj. Herën e dytë, Dinja i dha kokainë që e kishte mbështjellë me letër si ajo e paketave të cigareve.

Edhe me Florenc Demirin u takua me 31 maj pranë një bar kafe rreth orës 13:00. Demiri i dha diçka agjentit që e kishte fshehur te qepeni i ngritur i lokalit. Brenda ishin 2 qese me kokainë që ishin mbyullur me përdredhje dhe djegie.

Dosja i është dorëzuar Gjykatës së Elbasanit e cila pritet të japë sot vendimin për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj të ndaluarve.

Pjesë nga dosja hetimore:

/Albeu.com/


Shtuar 2.07.2023 20:53