Vendosja e Skëndërbeut në Contessa Entellina, Meta: Mesazh kujtese për të mos harruar rrënjët

Presidenti Ilir Meta ndodhet në qytetin arbëreshë, Contessa Entellina, ku u vendos përmendorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Meta shkruan se është një mesazh kujtese edhe për brezat e rinj që të mos harrojnë rrënjët.

“Thellësisht i lumtur dhe krenar, që vizita ime në Bashkinë arbëreshe Contessa Entellina, përkoi me përfundimin e përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Vincenzo Muratore.

Vendosja e kësaj vepre në sheshin kryesor të qytetit, do jetë një thirrje e përhershme për të gjithë dhe një mesazh kujtese edhe për brezat e rinj, për të mos i harruar kurrë rrënjët dhe për të bërë gjithçka për ruajtjen e trashëgimisë tonë të vyer historike e kulturore.

Mirënjohje Kryebashkiakut, Leonardo Spera dhe të gjithë komunitetit të dashur arbëresh të Contessa Entellina, që mbajnë gjallë figurën e Skënderbeut, simbolit të identitetit tonë kombëtar, mbrojtësin e vlerave dhe traditave të qytetërimit europian, që frymëzon në çdo kohë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale me popullin dhe Italinë mike”, shkruan Meta./albeu.com


Shtuar 7.11.2021 16:42