Zbulohet “planeti i ndaluar” që vërtitet rreth “xhuxhit”

Astronomët kanë gjetur një planet jashtëzakonisht të madh që rrotullohet rreth një ylli të vogël, i vendosur rreth 280 vite dritë nga toka.

Madhësia e papritur e botës së sapo zbuluar, e quajtur TOI 5205b, ka bërë që studiuesit ta quajnë atë “planeti i ndaluar”.

Ai ka madhësinë e Jupiterit dhe u zbulua nga studiuesit duke përdorur Satelitin Transiting Exoplanet Survey të NASA-s, ose TESS. Jupiteri është planeti më i madh në sistemin tonë diellor, raporton AlbEu.com.

Misioni për gjetjen e planeteve, i nisur në vitin 2018, vëzhgon dritën e yjeve më të afërt dhe më të shndritshëm për të dalluar ndërprerjet në dritën e yjeve, gjë që sugjeron që ato yje kanë planetë që rrotullohen rreth tyre. Misioni TESS ka gjetur mijëra planetë deri më tani.

Eksoplaneti rrotullohet rreth një ylli xhuxh të kuq të quajtur TOI-5205, i cili është rreth 40% e madhësisë dhe masës së diellit tone.

Ylli xhuxh M është më i vogël, më i ftohtë dhe më i kuq se dielli ynë. Këta yje të zbehtë janë disa nga më të zakonshmet në univers dhe në vitet e fundit, astronomët kanë zbuluar se yjet xhuxh M kanë më shumë gjasa të kenë planetë që rrotullohen rreth tyre.

Por astronomët nuk prisnin që yje kaq të vegjël të strehonin planetë gjigantë – dhe kjo është pikërisht ajo që ata gjetën kur hodhën një vështrim më të afërt në sistemin planetar TOI-5205. /albeu.com


Shtuar 25.02.2023 11:16