Turqia e mohon: Nuk kemi blerë sisteme të rinj raketash S-400 nga Rusia

Turqia ka mohuar lajmin e blerjes së një grupi të ri të raketave mbrojtëse S-400 nga Rusia.

Ky reagim erdhi pasi një agjenci shtetërore ruse e lajmeve raportoi më herët sot se Rusia dhe Turqia kishin nënshkruar një kontratë për të dërguar një grup të dytë të sistemit anti-ajror S-400 në Ankara.

Ka qenë një zyrtar turk i mbrojtjes që e kundërshtoi menjëherë raportin në fjalë.

Agjencia e lajmeve TASS citoi kreun e shërbimit të bashkëpunimit ushtarak të Rusisë, Dmitry Shugayev, të ketë thënë: “Dua të vërej se kontrata përkatëse tashmë është nënshkruar. Ai përfshin lokalizimin e prodhimit të disa komponentëve të sistemit.”

Blerja e sistemit rus S-400 nga Turqia në vitin 2020 zemëroi Shtetet e Bashkuara, aleatin e NATO-s, i cili vendosi sanksione ndaj Ankarasë.

Megjithatë, një zyrtar turk tha sot se “nuk ka marrëveshje të reja”.

“Kontrata origjinale e nënshkruar me Rusinë për blerjen e S-400 tashmë përfshinte dy sasi. Blerja e grupit të dytë ishte përfshirë në projektin origjinal dhe kontratën përkatëse”, tha zyrtari. Prandaj, nuk kemi zhvillime specifike që ia vlen të raportojmë. Procesi është në vazhdim dhe nuk ka marrëveshje të reja”, shtoi ai.

Çdo marrëveshje e re e mbrojtjes midis Rusisë dhe Turqisë do të provokonte reagime serioze në Uashington, në një kohë kur ajo po përpiqet të izolojë Moskën duke ruajtur unitetin e NATO-s përballë pushtimit rus të Ukrainës.

Turqia dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje të parë në dhjetor 2017 për të ofruar grupe raketash tokë-ajër ruse S-400 me vlerë rreth 2.5 miliardë dollarë. Dorëzimi i parë i sistemit u krye në korrik 2019. Si përgjigje, SHBA vendosi sanksione ndaj industrisë së mbrojtjes së Turqisë në dhjetor 2020 dhe e hoqi Ankaranë nga programi i prodhimit dhe blerjes së avionëve luftarakë F-35.

Por me luftën në Ukrainë situatat kanë ndryshuar. Ndërsa Ankaraja ruan një partneritet të fortë diplomatik me Moskën, në terren mbështet Ukrainën me dronët e saj shkatërrues.