VIDEO/ Çfarë po ndodh te “Inxhinieria?” Zona mbulohet nga tymi

Godina e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit është shëmbur pasditen e sotme (2 gusht 2023).

Zona është mbuluar nga re të mëdha pluhuri. Universiteti Politeknik i Tiranës kishte shpallur tenderin me fond limit prej 1 miliard lekësh për ndërtimin e godinës së re të “Inxhinierisë”.

Projekti parashikon shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin dhe ridnërtimin e 3 godinave të tjera.

Projekti i rindërtimit u propozua pas dëmtimeve të shkaktuara nga lëkundjet sizmike të vitit 2019.

Objekti në shfrytëzim nga këta dy fakultete ka një sipërfaqe totale 9 mijë e 885 m² dhe përbëhet nga dy pjesë të ndërtuara në periudha të  ndryshme si ndërtesa të veçanta:  Godina A – E ndërtuar në vitet ’80, aktualisht është e pa shfrytëzueshme si rezultat i  dëmtimeve dhe Godina B – E ndërtuar në vitin 2010 vijon të shfrytëzohet nga të dy fakultetet.

Propozimi paraqet një zgjidhje të integruar përmes krijimit të një kompleksi universitar me tre korpuse kryesore:

– Fakulteti i Arkitekturës

– Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit – Korpusi i klasave (Godina B)

– Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit – Korpusi i zyrave dhe laboratorëve

Këto tre korpuse janë konceptuar të shkëputur në vëllim por të lidhur në funksion, duke përmbushur kështu edhe një ndër objektivat kryesore të detyrës së projektimit.

Projekti krijon mundësinë që kompleksi universitar të ketë 30 klasa, 15 salla leksioni, 3 salla konference, 91 zyra etj. Po ashtu parashikohet një hapësirë parkimi dhe zona pushimi.


Shtuar 2.08.2023 15:33