Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës nga SPAK, reagon Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK),  për vendosjen në sekuestro të inceneratorit të Tiranës.

Përmes një postimi në Twitter, Veliaj thotë se ky vendim është i mirëpritur për të zbardhur veprimtarinë e paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik.

“Histeria e portaleve te baltes tregon vetem qe baltaxhinjte e udhehequr nga Non Gratat s’e kane marr vesh akoma qe jemi ne epoke tjeter! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat te impiantit te mbetjeve te Tiranes si rezultat i hetimeve te SPAK eshte mese i mirepritur ne rrugen e zbardhjes se veprimtarise se paligjshme te kujtdo qe ka abuzuar ne dem te interesit publik.

Bashkia e Tiranes nderkohe do te vazhdoje pa u ndalur punen per nje Tirane qe sot eshte pasqyre pastertie edhe si rezultat i transformimit te Sharres nga nje kancer urban ne nje fushe sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon per Tiranen dhe Shqiperine Europiane, jo per kandilet e Non Gratave qe do te shkojne drejt shuarjes”, shkruan Veliaj në Twitter.

GJKKO përmes një njoftimi zyrtar ditën e sotme bëri me dije se ka vënë nën sekuestro preventive inceneratorin e Tiranës.

SPAK po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim”.

Nga aktet e administruara nga SPAK, rezulton se, në lidhje me kontratën e koncesionit të vitit 2017 për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro pa TVSH, ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Gjithashtu është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.

Kujtojmë se qeveria shqiptare në 2016 kur shpalli koncesion PPP për djegien e plehrave me incenerim e argumentoi këtë politikë, me faktin se investitori privat do të kryente investimin me fondet e veta, të cilat do të shlyheshin më vonë viti pas viti nga buxheti. Por realisht inceneratoret kanë marrë dhe vijojnë të marrin pagesa të cilat nuk i kanë të justifikuara më punë. Në praktikën e investimeve publike, inceneratorët janë një shembull i paprecedentë i shpërdorimit të fondeve publike nga një kompani private. Për me tepër kompania që ka shpërdoruar taksat e shqiptarëve është ndihmuar një spektër i gjere zyrtarësh dhe nëpunësish publik, disa prej të cilëve janë në burg dhe të tjerë në hetim./Albeu.com. 


Shtuar 1.08.2023 17:58