Franca po planifikon të ndalojë cigaret elektronike

Franca planifikon t’i ndalojë cigaret elektrike njëpërdorimshe, ka thënë kryeministrja e këtij vendi, Elisabeth Borne për radion RTL të dielën.

“Është çështje e rëndësishme për shëndetin publik”, ka thënë Borne, duke shtuar se Qeveria është duke hartuar programe kombëtare për luftim të cigares, e cila, sipas saj, është përgjegjëse për 75.000 vdekje brenda një viti në Francë.

Sipas kryeministres, pajisjet e ashtuquajtura “puff” mund të krijojnë shprehi te të rinjtë, të cilët më vonë mund të krijojnë varësi nga cigarja.

Megjithatë, ajo e ka përmendur se Qeveria franceze nuk planifikon t’i rrisë taksat në cigare vitin e ardhshëm, pas rritjes së këtij viti.

Presidenti francez, Emmanul Macron pati publikuar më 2021 disa plane ambicioze për luftim të cigares dhe alkoolit, duke u zotuar për krijim të më shumë hapësirave publike ku nuk pihet cigarja dhe që 20-vjeçarët që jetojnë në Francë më 2030, të mos jenë konsumues të cigares. /REL/


Shtuar 3.09.2023 15:43