Rama flet në Kuvend për paketën e krizës: Po mbrojmë qytetarët, ja pse i morëm masat

Kryeministri Edi Rama, pasi prezantoi paketën anti-krizë më parë gjatë mëngjesit të sotëm, po flet momentalisht në Kuvend duke dhënë detaje rreth saj.

Rama theksoi se masat janë marrë me qëllim që të mos preket çmimi i energjisë në faturë për familjet dhe bizneset e vogla.

“Është shumë e nevojshme që të shfrytëzoj kohën për të nënvizuar një fakt që është më i rëndësishmi sot, që qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ndërtojë një qasje mbështetëse afatmesme sepse ne besojmë që është shumë më e rëndësishme të garantojmë siguri në afatmesëm në vend se të ndjekim nga pas krizën me paketa afatshkurtra.

Ky është një shpenzim më i madh, por besojmë se kjo është rruga e duhur. Më bëri përshtypje parafolësi që ngriti një pyetje se çfarë europiane ka sot në Shqipëri ku çmimet rriten.

Jam i bindur që ju banoni në një planet tjetër, por nëse ka një gjë sot që shqetëson botën është rritja e çmimeve. Është një situatë me të cilën shifrat tregojnë se Shqipëria e ka mbajtur inflacionin në një nivel që është më i i ulëti në rajon. Sepse Shqipëria është i vetmi vend që ka vendosur të ndërmarrë një rrugë që fundi do ta tregojë për të mos e prekur çmimin e energjisë në faturën e konsumatorëve dhe bizneseve të vogla”, tha Rama.

Duke iu përgjigjur kritikëve lidhur me akuzat për menaxhimin e hidrocentraleve, Rama tha se Shqipëria nuk e siguron dot të gjithë nevojën vendase dhe i duhet të dalë në treg.

“Shqipëria nuk ka kapacitet për të mbuluar të gjithë nevojën vendase. Është e detyruar të dalë në tregun ndërkombëtar dhe afektohet nga çmimi. Mbulesa e garantuar deri tani është 330 milion euro të shpenzuar. Parashikimi ynë që kjo shifër mund të shkojë shumë më lart. Ne jemi të përgatitur. Do të veprojmë me një riindeksim të pensioneve, do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të jetë efektiv për pensionistët qysh në muajin tetor. Në total 9.3 % indeksimin e pensioneve për këtë vit”, shtoi Rama.