Vrasja e 19-vjeçarit në Shkodër, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori, çfarë i gjeti policia në banesë

Policia e Shkodrës, ka identifikuar autorin e ekzekutimit të 19-vjeçarit, Erjon Xhenje, që ndodhi mbrëmje e së djelës. Blutë e Shkodrës kanë shpallur në kërkim Bajram Çekorjan, djalin e Ismet Çekorjas që u ekzekutua 3 javë më parë.

Burimet thanë se Çekorja është me precedentë kriminale të mëparshëm dhe rezulton i shpallur në kërkim për një tjetër ngjarje të ndodhur pak kohë më parë në Shkodër.

Vrasja e 19-vjeçarit ndodhi të dielën në darkë. 7 herë u qëllua në vendin e ngjarjes me pistoletë nga autorët ndërkohë që 5 predha plumbi pistoletë ka marrë viktima pas atentatit me armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”./albeu.com


Shtuar 22.09.2022 18:33