Në Shqipëri apo jashtë, ku ndodhet Arben Ahmetaj? Karamuço zbulon çfarë tregon TIMS

Pas kërkesës që Prokuroria e Posaçme i bëri Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit ndaj Arben Ahmetajt, si person nën akuzë për korrupsion, në media ka qarkulluar një informacion se ish-ministri është arratisur nga Shqipëria.

I pyetur rreth kësaj çështje, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço shprehet se ky lajm është i pavërtetë, pasi sipas një verifikimi të kryer nga autoritetet përmes sistemit TIMS Ahmetaj rezulton se ndodhet ende brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, sipas Karamuços, bazuar në të gjithë përpjekjet e ish-ministrit për të treguar pafajësinë, do të ishte shumë e habitshme dhe e shëmtuar nëse ai do t’i bënte bisht drejtësisë duke u larguar nga territori.

“Nuk e di, por deri tani ka rezultuar një lajm i pavërtetë sepse policia ka bërë një verifikim përmes sistemit TIMS, nga ku rezulton se zoti Ahmetaj ndodhet në Shqipëri. Po ashtu, kjo është vërtetuar edhe nga ana e avokatit të tij, i cili deri pak minuta më parë ka dhënë një deklarim ku ka thënë që klienti im ndodhet brenda territorit të Shqipërisë.

Unë mendoj se me gjithë ato përpjekje që Ahmetaj ka bërë deri tani në publik dhe në medie për të mbrojtur dhe prapësuar të gjithë akuzat që i janë ngritur, do të ishte shumë e habitshme, madje e shëmtuar nëse ai do t’i bënte bisht drejtësisë duke u larguar nga territori.

Kështu që, të gjitha këto që iu thash, bazuar në dy burime të mijat, nga sa kuptoj nesër Ahmetaj do të përballet edhe me Këshillin e Imuniteteve dhe Mandateve, ku është thirrur së bashku me mbrojtësin e tij për t’u njohur dhe për të dhënë edhe ai më pas mendimet e tij, opinionet e tij dhe pse jo edhe prapësimet e tij në lidhje me të gjitha akuzat që do të ngrihen në prani edhe të SPAK-ut që do të marrë pjesë në Kuvend”, tha Karamuço në “Top Talk”.


Shtuar 10.07.2023 21:59