Kur e gjen veten tek testamenti i Rrapush Xhaferrit!

Nga Lutfi Dervishi

Të flasësh për forcim të lekut dhe dobësim të euros, mbase është njësoj si të thuash se sot është një ditë e hënë. Përpjekja ime modeste për të shpjeguar në fundjavë këtë shpartallim të monedhës europiane përballë ekonomisë shqiptare, fillimisht më bëri të paguar nga opozita, pastaj nga qeveria, bankat, Soros, Rrapush Xhaferri, Sudja, etj….

Komenti #1: “Padyshim që të ka paguar opozita!”.

Ah, po, akuza klasike e teorisë konspirative. Nuk e dija që një postim fundjave në Facebook do të më sillte nën radarin e patronazhistëve që kanë jo vetëm opinionet e veta, por edhe faktet e veta në fabrikën e vet.  Me sa duket, shpjegimi im së pari si qytetar mbi fuqinë e lekut, ka lidhje me forcat e errëta që nuk ja duan të mirën Shqipërisë. Opozita më ka paguar paradhënie pas shitjes së hekurishteve që la pas beteja e 8 Janarit.

Komenti #2: “Kjo nuk është gjë tjetër veçse propagandë e sofistikuar e qeverisë!”

Këtu akuza vjen nga krahu tjetër: Po bën propagandë qeveritare, për të shpërlarë trutë e miletit. Në fillim mendova se komentuesi po bënte shaka. Por jo, sipas komentatorit mendjemprehtë, mendimet e mia për fuqinë e lekut janë pjesë e një skeme të mirëmenduar për të shpëlarë trurin e masave.

Mazhoranca më ka paguar me një pikturë mbi protokollin e prishjes së Teatrit Kombëtar.

Komenti #3: “Po i shërben bankave!”

Sigurisht, është e pamundur të shkruash për lekun dhe euro pa qenë i lidhur me bankat. Ky komentues tejet i zgjuar ka nxjerrë përfundimin se ekspertiza ime financiare dhe njohuria për treguesit ekonomikë mund të rrjedhin vetëm nga një lidhje e rrënjosur thellë me industrinë bankare. Duket se historia ime ime si një përdorues i zakonshëm i Facebook-ut ka qenë një koperturë për të fshehur misionin tim të vërtetë- fuqizimin e bankave.

Bankat më kanë paguar me një lokal dasmash të sekuestruar nga OFL dhe të nxjerrë në ankand.

Komenti #4: “Po bën lojën e Sorosit!”

Kur ka një gjë të madhe që po ndodh dhe ajo nuk arrin të shpjegohet, kur njerëzit sot nuk kanë kohë që të lexojnë shpjegime të gjata apo analiza të thella, pse të mos marrim një litar dhe të lidhim gjithë pyllin? Eureka! Sorosss! Ai ka interes të dobësojë Euron se e ka bërë njëherë në fillim të viteve 90-të me monedhën britanike.

Sorosi më ka pagua me një palë tespie pleqërie që mi ka nisur.

Komenti #5 “Të kanë paguar arkitektët e firmave piramidale!”

Mes komenteve të tjera ishte edhe kjo marrëzi po aq e ngjashme sa të tjerat. Ashtu si në 4 komentet e para, edhe këtu një mendje e zgjuar ishte përpjekur të zgjonte të vdekurit për të vallëzuar mbi varrezën e ekonomisë.

Rrapushi ma ka lënë në testament oqeanin “Atlantik”, por po pres të thahet për të përfituar.albeu

Komenti #6: “I paguar nga restorantet. Tava e Elbasanit shpjegon gjithçka.”

Tava Elbasanit është një nga ushqimet tona me të cilët krenohemi. Shumica e atyre që refuzuan vaksinën e bënë për faktin se me anë të një microchip Bill Gates do të vidhte recetën e tavës së Elbasanit. Në kushtet kur sekretin e tavës së Elbasanit e kemi vetëm ne, turistët po vërshojnë në Shqipëri për të provuar këtë pjatë të veçantë. Ardhja e turistëve, rrit kërkesën për monedhën vendase dhe dobëson euron.

Përfundimi

Në tastierë nuk qëndrojnë më vetëm dijetarë, por edhe luftëtarë të gatshëm për t’u hedhur në sulm sa herë cënohet partia/qeveria/kauza/ apo edhe mendimi ndryshe i konsoliduar. Përballë tastierës “trimat” e komenteve me apo pa emër, me apo pa fytyrë edhe kur e kanë vizualisht një të tillë, thonë gjëra që kurrë nuk do të guxonin t’i thonin përballë. Luanët e tastierës në jetën virtuale si rregull janë kone në jetën reale. Le t’i lemë të lehin dhe të rrotullohen rreth bishtit të tyre pasi edhe atë nuk kanë guxim ta hanë dot.