“Vdekje Khameneit”, protestuesit kërkojnë përmbysjen e regjimit në Iran

Një numër i madh njerëzish iu bashkuan demonstratës së nisur nga studentët në Universitetin Amir Kabir, e cila u përhap shumë shpejt duke pushtuar edhe zonat përreth.

Mijëra vetë u mblodhën në rrugën Hafez duke brohoritur, “Vdekje diktatorit”, “Vdekja gënjeshtarëve”, “Mos kini frikë, ne jemi të gjithë bashkë”, “Vdekje këtij regjimi vrastar”.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës e pompa uji. Forcat e rendit mbyllën me dhunë portat e Universitetit, duke lënë të bllokuar aty personat që ishin ende brenda kampusit. Studentet femra u përballën me forcat speciale, duke i quajtur “të pashpirt”.

Grupe tubuesish grisën sakaq dhe foton e gjeneralit të vrarë, Kasem Sulejmani.

Në të njëjtën kohë, u ngritën edhe një numër i madh studentësh të Universitetit Industrial Sharif. Ata përsërisnin pa reshtur: “Vdekja Khamenei-t”, duke e quajtur liderin e fuqishëm shpirtëror të Iranit “një vrasës, sundimi i të cilit është I pavlerë”.

“Armiku ynë është këtu brenda, ata gënjejnë kur thonë se është Amerika”, thanë disa protestues që kërkuan gjithashtu përmbysjen e regjimit.

Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e përshëndeti protestën studentore dhe u bëri thirrje të gjithë iranianëve, veçanërisht të rinjve, të shprehin mbështetje dhe solidaritet me protestuesit.

Ajo i kërkoi gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të ndjekë penalisht dhe të ndëshkojë personat përgjegjës për dhunën. Fajtorët kryesorë, tha Rajavi, janë Ali Khamenei, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, presidenti Hassan Rouhani dhe komandantë të Rojeve Revolucionare.


Shtuar 12.01.2020 14:00