Rrëmbimi i policëve, Haradinaj “sulmon” Kurtin: Ose është spiun i Serbisë, ose do të mbetet në pushtet me zor

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në Veri ka thënë për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se “ose është spiun i Serbisë ose dëshiron të mbetet domosdo në pushtet”.

Në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së jashtëzakonshme të partisë së tij, Haradinaj shtoi se kushdo në botë e di që Kosova humb nëse nuk e ka besimin e aleancës veriatlantike të NATO-s e Amerikës.

“Kurti intensivisht me çdo veprim të vetin po e prish këtë aleancë, pra ky ose është spiun i Serbisë ose është ai që me zor do me mbet në pushtet sa me fshehë qeverinë e tij humbëse të zhytur në korrupsion e nepotizëm, e po e kërkon shpëtimin në kriminelë, duke i arrestuar ata e duke na shitur këtë si fitore të Kosovës”, tha ai.

Duke komentuar lajmin e rrëmbimit të pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ish-kryeministri Haradinaj tha se u përdhos uniforma dhe kërkoi menjëherë lirimin e tyre.

“Lusim bashkësinë ndërkombëtare që të ushtrojë preson mbi Serbinë për lirimin e tyre, kthimin e tyre në familje, dhe që aktet te tilla të mos përsëriten më kurrë. E ftojmë ministrin Sveçla të pranojë dorëheqjen sepse sot është përdhosur uniforma e institucionit të Policisë së Kosovës”, tha ai.

“Ne mendojmë që Kurti po shkon në drejtim të kundërt, ai s’po e udhëheqë Kosovën drejt stabilitetit. E ka sjellë Kosovën në palë të dështuar. Pra aleatët tanë, përkrahësit tanë të sigurisë kanë filluar ndëshkime për ne që do të rezultojë në dobësimin tonë të brendshëm dhe të jashtëm”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj po ashtu tha se kryeministri Kurti po e rrezikon ekzistencën e Republikës dhe se po synon me vetëdije shkatërrimin e mëtejmë të të arriturave të deritanishme.

“Është momenti par ta ndalur Kurtin, mocioni dhe çdo formë tjetër që të mos e lejojmë t’i rrezikojë marrëdhëniet me aleatet tanë të sigurisë”, përfundoi Haradinaj./Albeu.com.