Zyrtarisht diktaturë, Gjykata e Moskës shpërbën unionin e gazetarëve

Gjykata e Moskës vendosi të shpërbëjë Unionin e pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias, raporton agjencia Interfax.

Prokuroria e Moskës, e cila kërkoi shpërbërjen e Unionit të Gazetarëve, thekson në propozimin e saj se “Sindikata dhe degët e saj rajonale përdorin burime në internet, të cilat përmbajnë informacione që janë në kundërshtim me ligjin. Në këtë mënyrë, veprimtaria e Unionit sjell cënimin e të drejtave dhe lirive të individit dhe qytetarit, si dhe dëmtimin e rendit publik dhe sigurisë shoqërore, shoqërisë dhe shtetit”.

Sipas avokatit të Unionit, autoritetet ishin kryesisht të shqetësuara nga veprimet e Unionit në mbrojtje të të burgosurve politikë dhe gazetarëve të opozitës, si dhe nga mbështetja e tij ndaj mediave të pavarura.

Vitin e kaluar, shkruan shërbimi rus i BBC, Unioni ngriti disa padi kundër bashkisë së Moskës për refuzimin e aprovimit të organizimit të tubimeve protestuese kundër ligjit të “agjentëve të huaj”, publikoi një raport mbi persekutimin e medias, organizoi një fushatë për të mbështetur politikanin Alexei Navalny, një fushatë për të mbështetur gratë gazetare që ishin viktima të dhunës, u dërgoi një kërkesë autoriteteve hetimore pas vdekjes së gazetares ruse Aksana Baulina në Ukrainë.

Sindikata e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias u themelua në vitin 2016 pas një sulmi në një autobus që transportonte gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në kufirin e Çeçenisë. Shoqata kishte më shumë se 600 anëtarë nga 40 rajone të Rusisë.

Funksionimi i Unionit u pezullua në mesin e korrikut pas padisë së Prokurorisë në Gjykatën e Qytetit të Moskës.