Kreditë me probleme, rreziqe të reja në horizont

Muajt në vijim mund të jenë sfidues për ekonominë shqiptare dhe për sektorin bankar, kryesisht për shkak të ndikimit që mund të përcjellë situata e pafavorshme aktuale energjetike, nëse ajo vijon e tillë.

Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit ngriti shqetësime serioze lidhur me ndikimet e mundshme që inflacioni i lartë dhe kriza e çmimeve të energjisë mund të ketë në bilancet e sektorit bankar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, bankat mund të përballen me ulje të mëtejshme të fitimit e ndoshta, edhe me humbje financiare. Krahas monitorimit dhe vlerësimit të ndikimit të drejtpërdrejtë të rreziqeve të tregut, duhet t’u kushtohet vëmendje edhe rreziqeve të tërthorta që lidhen me rënien e aftësisë paguese të huamarrësve dhe mundësinë e rënies së cilësisë së kredisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, është e nevojshme që bankat të ruajnë kontakte sa më të afërta me huamarrësit, për zbutjen e problematikës atje ku është e mundur, apo për evidentimin dhe provigjionimin e shpejtë të kredive të reja me probleme.

Si rezultat, Banka Qendrore sugjeron se është e nevojshme që bankat të ruajnë dhe të fuqizojnë nivelet e kapitalizimit të veprimtarisë, për të përballuar luhatshmërinë e mundshme në rezultatin financiar.

Inflacioni sjell më shumë pasiguri se pandemia

Goditja e inflacionit është kërcënimi i dytë madhor për ekonominë dhe sektorin financiar në tre vitet e fundit.

Pandemia e Covid-19 dha një goditje të fortë dhe relativisht të papritur, por ekonomia arriti të rimëkëmbej shpejt nga pasojat e saj, ndërkohë që sektori financiar e kaloi sprovën e pandemisë pa pasoja serioze, me përjashtim të problemeve që shkaktoi periudha tremujore e mbylljes së ekonomisë.

Në vazhdim, shmangia e masave të reja drastike për kontrollin e pandemisë dhe masat rregullatore të Bankës së Shqipërisë bënë që raporti i kredive me probleme të mbahej nën kontroll dhe rritja e kreditimit të vazhdonte.

Me gjithë shokun që shkaktoi pandemia dhe mbyllja, përgjithësisht qasja e sektorit bankar reflektonte besimin se pasojat e saj do të ishin afatshkurtra, siç edhe ndodhi në fakt.

Megjithatë, goditja inflacioniste mund të jetë më e ndërlikuar për t’u parashikuar. Pandemia lidhej me një goditje nga jashtë ekonomisë dhe sapo ajo u vendos nën kontroll, edhe aktiviteti ekonomik iu kthye gradualisht normalitetit.

Inflacioni është një fenomen endogjen i ekonomisë, megjithëse u nxit pjesërisht nga një ngjarje e jashtme, sulmi ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Në fakt, sinjalet e inflacionit kishin qenë të qarta që në verën e vitit të kaluar, për shkak se problemet në zinxhirin e furnizimit sollën që oferta të mos i përgjigjej dot rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës pas daljes nga pandemia.

Inflacioni iu kthye rritjes pas një periudhe të gjatë kur rritja e tij dukej shumë e vështirë, pavarësisht politikave monetare gjithnjë e më stimuluese të ndërmarra nga bankat qendrore.

Inflacioni më i lartë në dekada dhe rritja e shpejtë e normave të interesit rrjedhimisht i gjetën disi të papërgatitur të gjithë aktorët ekonomikë. Pasiguritë për mbajtjen e inflacionit nën kontroll ngelen të larta.

Banka e Shqipërisë parashikonte se inflacioni do të arrinte pikun pranë nivelit 7% në tremujorin e tretë dhe më tej do të fillonte rënien. Në fakt, inflacioni ka arritur në 8.1%, ndërsa inflacioni bazë në 8.4%.

Parashikimet për uljen e tij po bëhen më të vështira, megjithëse banka qendrore beson se ai mund të ulet pranë objektivit deri në vitin 2024.

Shqetësimi më i madh lidhet me mundësinë e shfaqjes së atyre që bankat qendrore i quajnë efekte të raundit të dytë, të cilat nënkuptojnë rrezikun e një spiraleje inflacioniste ku pagat e kostot e prodhimit dhe çmimet shtyjnë njëra-tjetrën në rritje.

Pikërisht për të shmangur rrezikun, bankat qendrore, përfshi Bankën e Shqipërisë, po reagojnë me një normalizim (shtrëngim) të shpejtë monetar, duke rritur normat e interesit. Rritja e shpejtë e normave të interesit është një proces që nuk do të kalojë pa dhimbje për ekonominë.

Ajo do të rrisë koston e interesave të kredive dhe do të frenojë huadhënien e re, duke ndikuar negativisht konsumin dhe investimet. Kjo pritet të përkthehet në rritje më të ulët ekonomike, ndoshta edhe recesion, por edhe rritje të papunësisë.

Këto fenomene në mënyrë të pashmangshme do të cenojnë aftësinë paguese të huamarrësve dhe rrezikojnë të shkaktojnë rritje të raportit të kredive me probleme.

Kreditë më probleme, “qetësi para stuhisë”?

Aktualisht, raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta që prej vitit 2008, kur filloi trajektorja e rritjes së tyre, në një periudhë që përkoi me shpërthimin e krizës financiare botërore. Statistikat tregojnë se kreditë me probleme po vazhdojnë rënien e ngadaltë edhe pasi ekonomia nisi të përballej me rritjen e shpejtë të inflacionit.

Raporti i kredive me probleme shënoi një tjetër ulje të lehtë në muajin gusht dhe sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti zbriti në 5.2%, nga 5.27% në muajin korrik.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, raporti i kredive me probleme ka rënë me afërsisht 1.8 pikë përqindje.

Tendenca u frenua përkohësisht në prill, por, sipas burimeve nga sektori, kjo thyerje nuk lidhej me efekte të dukshme të inflacionit, por me keqësimin e statusit të huave të kompanive kontraktore të inceneratorëve. Pas muajit qershor, raporti i kredive me probleme iu kthye sërish rënies.

Ndikim të konsiderueshëm në këtë rënie duket se po luan vijimësia e kreditimit me ritme të shpejta të ekonomisë edhe këtë vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, portofoli i kredisë për ekonominë ishte në rritje vjetore me 13.7%.

Ndërkohë, kredia e re e disbursuar gjatë periudhës 8-mujore u rrit me 22% dhe preku vlerën më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit.

Edhe treguesit plotësues që analizohen nga Banka e Shqipërisë në përgjithësi konfirmojnë ecurinë në përmirësim të kredive me probleme, pavarësisht se që nga fillimi i këtij viti, ekonomia po përballet me rritje të shpejtë të inflacionit.

Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga sektori bankar në tremujorin e dytë të këtij viti ka arritur nivelet më të larta të periudhës post-pandemike. Treguesi u përmirësua, duke u rritur në 16%, nga 7% një vit më parë.

Norma e rikuperimit tregon vlerën e kredive që janë hequr nga kategoria e kredive me probleme dhe që kanë kaluar në klasat performuese gjatë një viti, në raport me tepricën e kredive me probleme në fund të periudhës.

Ecuria tregon përmirësim të ndjeshëm të aftësisë së huamarrësve për të rikuperuar kreditë me probleme. Treguesi kishte ardhur në përmirësim të vazhdueshëm deri në fund të fund të vitit 2019.

Më pas, shpërthimi i pandemisë dha një efekt të drejtpërdrejtë dhe norma e rikuperimit të kredive me probleme pësoi rënie të ndjeshme, deri në tremujorin e parë të vitit 2021. Prej atij momenti, norma e rikuperimit ka ardhur në rritje të vazhdueshme.

Edhe norma e dështimit të kredive, që tregon shpejtësinë me të cilën akumulohen kreditë e humbura në krahasim me portofolin e përgjithshëm të kredisë, ra në nivelin 0.9% në fund të qershorit 2022, nga 1.6% dhe 2.3% gjashtë muaj dhe një vit më parë.

Ky tregues shpreh fluksin e ri të kredive të humbura gjatë një viti ndaj tepricës së përgjithshme të kredisë në fund të periudhës. Rënia e normës së dështimit gjatë 12 muajve të fundit sinjalizon rrezik më të menaxhueshëm të portofolit të kredisë.

Megjithatë, në tremujorin e dytë të këtij viti është shënuar rritje e lehtë në kreditë e reja me probleme, që shpreh fluksin e ri të kredive me probleme gjatë periudhës ndaj tepricës së kredive të rregullta në fund të periudhës.

Në fund të qershorit 2022, fluksi i kredive të reja me probleme ishte sa 1.8% e kredive të rregullta, me rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe me fundin e vitit 2021, por sidoqoftë në nivele dukshëm më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky ka shfaqur rënie të vazhdueshme deri në fillim të vitit 2020, periudhë që përkon me shpërthimin e pandemisë. Gjatë vitit 2020, shkalla e kredive të reja me probleme shënoi rritje të përkohshme, ndërsa në vitin e kaluar u shënua rënie e ndjeshme.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Ndërkohë, vlera e fondit rezervë të bankave për humbjet nga kreditë me probleme ka zbritur në nivelin më të ulët që prej vitit 2009.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, vlera e fondit të provigjioneve për humbjet nga huatë zbriti në 23.1 miliardë Lekë, në rënie me 22.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo është vlera më e ulët që fondi i provigjioneve ka prekur që prej tremujorit të tretë të vitit 2009, kohë kur nisi cikli i rritjes së kredive me probleme në ekonominë shqiptare. Ulja e fondit të provigjioneve është tregues i përmirësimit të cilësisë së portofolit të kredisë dhe i uljes së ndikimit të tyre negativ në bilancet e sektorit bankar.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Kur do t’i shohim efektet e krizës së çmimeve?

Megjithëse deri tani, efektet e inflacionit të lartë nuk janë shumë të dukshme në pamje të parë, bankierët mendojnë se gradualisht është e pritshme që sektori të përballet me rritje të raportit të kredive me probleme.

Në fakt, disa prej kompanive më të mëdha të industrisë së rëndë në vend, si Kurum apo Albchrome, tashmë kanë ndërprerë punën, pikërisht për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Çmimi i lartë i energjisë po bëhet sfidë edhe për shumë ndërmarrje të tjera prodhuese dhe ka sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve në muajt e fundit, edhe në produktet e industrisë ushqimore.

Përcjellja e kostove të rritura në çmime për të ruajtur marzhet po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe po ndikon në uljen e konsumit privat. Shumë shpejt, kjo situatë mund të sjellë efekte negative në bilancet e bizneseve, duke keqësuar aftësinë e tyre paguese dhe duke ndikuar edhe në rritjen e raportit të kredive me probleme.

Situata ekonomike dhe specifikisht ajo e tregut energjetik bartin ende një shkallë të lartë pasigurie, por megjithatë ekspertët mendojnë se do të duhet ende kohë para se të shohim efekte eventuale në cilësinë e portofolit të kredisë.

Ekonomia shqiptare pritet të pësojë ngadalësim të ndjeshëm këtë vit, në vijim të rritjes së lartë prej 8.5% vitin e kaluar. Shifrat e INSTAT treguan se në tremujorin e dytë, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto zbriti në 2.2%, nga 6.6% që kishte qenë rritja e tremujorit të parë.

Në një masë të madhe, ngadalësimi i rritjes në tremujorin e dytë i detyrohet efektit të bazës krahasuese (tremujori I kishte shënuar rritje shumë të lartë, me 17.6%), por edhe një rënie të ndjeshme të kontributit të sektorit publik në ekonomi, si nëpërmjet konsumit, ashtu edhe investimeve.

Efektet e mirëfillta të rritjes së çmimeve priten të ndihen në pjesën e dytë të vitit dhe sidomos duke filluar nga tremujori IV, duke pasur parasysh se në tremujorin III, numri i lartë i turistëve mund të ketë amortizuar efektet negative nga ulja e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) është në rënie prej tre muajsh radhazi dhe në muajin shtator preku nivelin më të ulët të vitit 2022, i ndikuar kryesisht nga efektet negative të rritjes së çmimeve në vlerësimet e bizneseve dhe konsumatorëve shqiptarë.

Në projeksionet e fundit të muajit tetor, Banka Botërore vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë më e ulët për dy vitet në vijim, përkatësisht 3.2% në 2022 dhe 2.3% në 2023. Parashikimet tregojnë se efektet e inflacionit në ekonomi do të kulmojnë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa rritja do të fillojë të përmirësohet pas vitit 2024.

Bazuar në projeksionet mbi përcjelljen e goditjes inflacioniste në rritjen ekonomike, ndoshta efektet e mirëfillta të inflacionit të lartë në cilësinë e portofolit të kredisë mund të shfaqen në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, pasiguria rreth parashikimeve ekonomike është mjaft e lartë, duke pasur parasysh se inflacioni ende nuk po jep shenja rënie, ndërsa bankat qendrore po ndërmarrin një rritje të shpejtë të normave të interesit, që pritet të japin efekt negativ në ecurinë e prodhimit dhe punësimit.

E sigurt duket se viti 2023 do të jetë një vit më i vështirë, ndërsa parashikimet për rimëkëmbjen janë ende shumë të brishta.

Kreditimi nuk po ndalet, por bankat raportojnë shtrëngim të standardeve

Ecuria e kreditimit është indikator i rëndësishëm edhe në raport me pritshmëritë që kanë bankat për kreditë me probleme. Nëse kredia vazhdon të rritet me ritme të shpejta, kjo tregon se bankat nuk kanë ende shqetësime të mëdha, se aftësia e kredimarrësve për të shlyer detyrimet mund të pësojë rënie dramatike në të ardhmen e afërt.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 9-mujorin e këtij viti, kredia e re ka regjistruar nivelet më të larta në të paktën shtatë vitet e fundit. Kredia e re arriti vlerën e 208.5 miliardë lekëve, ose rreth 1.77 miliardë eurove. Në raport me 9-mujorin 2021, kredia e re është rritur me 19.6%.

Ecuria pozitive e kredisë së re po reflektohet me ritme të qëndrueshme të rritjes së portofolit të kredisë për ekonominë. Në fund të shtatorit, vlera e portofolit arriti në 718 miliardë lekë, në rritje vjetore me 12.7%.

Pavarësisht se statistikat për momentin nuk tregojnë frenim të kredidhënies, në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues të kryer nga Banka e Shqipërisë, bankat raportuan shtrëngim të standardeve, si për biznesin, edhe për individët.

Te bizneset, standardet e kreditimit u shtrënguan, si në kreditë për financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Bankat raportuan marzhe më të larta, si në kreditë normale ashtu edhe në ato me rrezik, reduktuan madhësinë e kredisë akorduar bizneseve, rritën komisionet, shkurtuan maturitetin maksimal të kredisë, si dhe shtuan numrin e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë, të nënshkruara mes bankave dhe bizneseve.

Faktorët që sollën shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset buronin pikërisht nga perceptimi i rrezikut nga ana e bankave lidhur me situatën ekonomike në vend dhe perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësit, si dhe me kolateralin e kërkuar.

Në të njëjtën kohë, edhe toleranca më e ulët e bankave kundrejt rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve për bizneset. Në shprehje të shtrëngimit, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët.

Në tremujorin e tretë, standardet e kreditimit u shtrënguan edhe për individët, pas një serie disavjeçare lehtësimi. Shtrëngimi i standardeve u vërejt në të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në atë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët ishte pasojë e perceptimit të rrezikut nga bankat lidhur me situatën makroekonomike në vend dhe perspektivën për të; zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, aftësinë paguese të kredimarrësit, si dhe me kolateralin e kërkuar.

Po ashtu, faktor tjetër që ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit ishte edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut.

Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit u arrit në sajë të marzheve më të larta mbi kreditë, si mbi ato normale, ashtu edhe mbi ato me rrezik, reduktimit të madhësisë së kredisë, si dhe kërkesave të shtuara për kolateral në kreditë për blerjen e banesave. Si rezultat, edhe shkalla e miratimit të kredive për individët u reduktua.

Në tremujorin e fundit të vitit 2022, bankat presin që ecuria e standardeve të kreditimit të mos ndryshojë nga ajo e tremujorit të tretë. Standardet e kreditimit priten të mbeten të shtrënguara, në të dyja kategoritë e madhësisë së biznesit.

Në terma të qëllimit të përdorimit, standardet priten të vijojnë shtrëngimin në kreditë për financimin e investimeve dhe të lehtësohen në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet.

Edhe standardet e kreditimit për individët priten të shtrëngohen më tej në tremujorin e fundit, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu dhe në ato konsumatore.

Fitimi i sektorit bankar, poshtë niveleve të vitit të kaluar

Nëse cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të shënojë përmirësime, situata e përgjithshme e lidhur me inflacionin dhe rritjen e normave të interesit ka sjellë tashmë disa efekte negative në performancën financiare të sektorit bankar, të paktën mbështetur në raportimin me standardet e mbikëqyrjes të aplikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në fund të muajit gusht, sipas Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar arriti në 11.1 miliardë lekë, në rritje me 3.7 miliardë lekë krahasuar me fitimin e 7-mujorit. Megjithatë, fitimi neto ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar, me 16% më pak.

Të dhënat mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë mbështeten në standardet lokale të mbikëqyrjes dhe mund të kenë diferenca me rezultatet që bazohen në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe që zakonisht bankat i raportojnë me frekuencë tremujore.

Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të gushtit arriti në 9.21%, niveli më i lartë i regjistruar në vitin 2022.

Megjithatë, ky tregues është ndjeshëm më i ulët krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 12.01%. Edhe kthimi nga aktivet është më i ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.3%.

Arsyeja kryesore që ka sjellë rënie të fitimeve të sektorit bankar këtë vit është efekti negativ nga rritja e normave të interesit në tregjet financiare. Kjo rritje solli ulje në vlerën e drejtë të instrumenteve financiare në portofolat e bankave, duke dhënë efekt negativ në performancën e tyre financiare

Në raportimin për qëllime rregullatore, pjesërisht ky efekt është shkaktuar edhe nga standardet tepër konservatore të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, deri në fund të 6-mujorit 2022, rezultati nga instrumentet financiare ka rezultuar negativ në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishte qenë pozitiv në vlerën e 1.1 miliardë lekëve. Rezultati nga instrumentet financiare ka prekur vlerën më negative që prej vitit 2018.

Ndërkohë, shpenzimet për të provigjionuar kreditë me probleme ishin afërsisht 1.25 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtën vlerë me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë


Shtuar 13.11.2022 08:50