Nga Vaçe Zela te Nexhmije Pagarusha, këngëtarja turke e magjepsur me muzikën shqipe: Fillova të mësoj gjuhën

Bahar Bingol Gjuka është një këngëtare nga Turqia por adhuron muzikën shqiptare. Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” me moderatorin Alban Musa, ajo tregoi se pëlqen shumë të dëgjojë muzikën e Vaçe Zelës, Nexhmije Pagarushës, Aurela Gaçes si dhe Shkurte Fejzës.

“Duke u rritur kisha shumë miq shqiptarë në Turqi dhe kur kreva studimet në Maqedoni, u ndesha me muzikën shqiptare dhe shqiptarët. Dhe burri im është shqiptar. Kënga e parë që kam dëgjuar është “Moj e bukura more”.

E dëgjova nga Vaçe Zela po ashtu dhe nga Elina Duni.

Muzika më ndihmon të mësoj gjuhën shqipe. Ka qenë mjaft e vështirë në fillim që ta mësoja gjuhën por me kalimin e kohës, takova kaq shumë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe dëgjoja dialekte të ndryshme. Kështu fillova ngadalë të mësoj gjuhën shqipe.“, u shpreh ajo.

Teksa u pyet se pse ndjen kënaqësi shpirtërore kur këndon shqip, këngëtarja përmendi mesazhet që përcillen përmes tyre.

“Mendoj se sa më shumë mësoja për kulturën dhe muzikën shqiptare, aq më shumë fillova të bie në dashuri me të. Sidomos me projektet që bëj përpiqem të fuqizoj gruan. Ka zëra të fuqishme grash dhe është kënaqësi të dëgjoj Nexhmie Pagarushën, Aurela Gaçen, Shkurte Fejzën.

Janë histori kanë prani të fortë gruaje në këngët e tyre. Kjo është arsyeja pse mu rrit dashuria për këngën shqiptare. Kam studiuar më shumë këngët e Nexhmije Pagarushës por e dua shumë dhe frymën e Aurela Gaçes. Shkurte Fejza është autentike, historinë që tregon përmes këngëve të saj.”, tha ajo.