Investimet e huaja prekin rekord të ri historik, kryesojnë përsëri pasuritë e paluajtshme

Investimet e Huaja Direkte shënuan vlera të reja rekord për tremujorin e dytë dhe të gjithë 6-mujorin e parë të vitit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë, vlera e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 379 milionë euro, në rritje me 12.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte paraqitet në rritje me 7.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, Investimet e Huaja Direkte e kanë tejkaluar me afërsisht dy herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Ky faktor mund të ketë pasur një ndikim të rëndësishëm në mbiçmimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit ndaj Euros. Kursi Eur-Lek këtë vit ka prekur nivelet më të ulëta historike.

Rritja e Investimeve të Huaja Direkte edhe për tremujorin e dytë të vitit është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 51% e investimeve të huaja direkte ishin fitime të riinvestuara, ndërsa 49% e totalit ishin injektime të reja të kapitalit.

Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e Investimeve të Huaja Direkte.

Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 376 milionë euro, pothuajse 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 55% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2023.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2023, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 20%, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 17%, në sektorin financiar, në masën 15% dhe në energjetikë, në masën 9% të totalit.

Të njëjtët sektorë kishin qenë dominues edhe në tremujorin e parë të vitit, por me kryesimin e hidrokarbureve, në masën 21%, të ndjekur nga ndërmjetësimi financiar, në masën 14%, sektori i pasurive të paluajtshme, në masën 14%, si dhe energjetika, në masën 12%.

Investimet e huaja direkte po rezistojnë në nivele të larta edhe pas përfundimit të disa investimeve madhore në sektorin energjetik, kryesisht gazsjellësit TAP dhe disa projekteve të rëndësishme koncesionare në energjinë hidrike.

Në dy vitet e fundit, ka një tendencë të qartë në rritje të investimeve të huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërisht në periudhën pas pandemisë, duke se është mbështetur në masë të konsiderueshme nga kërkesa që vjen prej investitorëve të jashtëm.

Investimet e huaja në prona janë tipike sidomos për zonat bregdetare, ku, megjithë rritjen e çmimeve, ato ngelen mjaft konkurruese krahasuar edhe me vendet e tjera të Rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia.

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse për të investuar. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo më për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.

Një rol të rëndësishëm po luajnë investimet e vazhdueshme të ndërmarrjeve ekzistuese.

Përveç rolit të Bankers Petroleum, që ngelet investitori më i madh në shfrytëzimin e burimeve të naftës, një ndikim në rritjen e investimeve të huaja në këtë sektor mund të ketë dhënë shpejtimi i kërkimeve të kompanisë Shell në zonën e Shpiragut.

Sektori financiar dhe veçanërisht ai bankar ngelen gjithashtu një kontribuues në vijimësi, edhe për shkak të rritjes graduale të kërkesave për kapital ndaj bankave tregtare./monitor


Shtuar 12.09.2023 08:10