“Vendoret”, Alibeaj: Ruajmë ekzistencën e PD, ja 3 bashkitë ku fitojmë

Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj vetëm tre javë para zgjedhjve vendore është shprehur se  synimet politiko-elektorale të PD janë të ridimensionuar.

“Synimi aktual është të ruajmë ekzistencën e partisë, pasi duhet ta pranojmë që ka ndodhur një plagosje e strukturave tona”, tha Alibeaj, i cili synon të gjejë elektoral mes njerëzve që nuk shkojnë fare të votojnë.

“Sipas të dhënave zyrtare rezulton se 50% e shqiptarëve refuzojnë me neveri tre fosilet politike, Ramën, Berishën, Metën. Kur të shohim sa do të jetë përqindja, mbështetja që qytetarët do të na japin, do të bëjmë analizat tona”, tha Alibeaj.

Megjithëse nuk pranoi të flasë me shifra se çfarë do të thotë të ruajë ekzistencën e PD, Enkelejd Alibeaj ka një parashikim se ku pret të fitojnë kandidatët e PD zyrtare nga 14 bashki ku kanë kandiduar.

“Po, presim të fitojmë në Finiq, Mallakastër, Dimal”, tha Alibeaj në emisionin “Pa censurë”.

Kreu i komanduar i PD, nuk e përfshiu Tiranën në hartën e fitores, por tha se Roland Bejko është kandidati i vetëm që përfaqëson të djathtën reale. “Në çdo rast do të jetë sukses”, përfundoi Alibeaj./Albeu.com/


Shtuar 24.04.2023 21:46