Shqipëria zbardhet nga dëbora! Rruga e Arbrit e pakalueshme, rrezikohet Vjosa (VIDEO)

Shqipëria është përfshirë prej ditësh nga moti i keq duke mbuluar veriun me dëborë.

Qytete të ndryshme janë zgjuar ditën e sotme të mbuluara me petkun e bardhë të dëborës.

Në Tiranë do të ketë reshje shiu gjatë paradites mirëpo situata do të ndryshojë në orët në vijim. Diell por temperatura të ulëta do të jetë moti në orët e pasdites.

VJOSA:

Mëngjesin e sotëm niveli i lumit Vjosa ka rënë në 6.10 m mbi nivelin e detit ,ndërkohë që mbrëmjen e djeshme niveli arrti në kuotat 6.70, ndërsa  pika kritike kur jepet alarmi është 7.30 m mbi nivelin e detit. Prurjet e Vjosës mbrëmjen e djeshme  kanë sjellë dhe përmbytje në tregun e gjësë së gjallë poshtë urës së Mifolit , por pa problem për banorët e njësisë administrative Novosele. Ndërkohë pritet që reshjet e shiut do të vijojnë në Përmet zona ku Vjosa buron atëherë duhet bërë kujdes.

Ndërkohë që reshje dëbore ka pasur në Llogora gjatë orëve të natës , temperaturat e ulëta kanë sjellë dhe ngrica në rrugë, por dy borëpastruese kanë qenë gjatë natës në punë duke hedhur krip dhe mbajtur të hapur këtë aks rrugor.

Kjo zonë turistike prej tre ditësh po vuan mungesën e energjisë elektrike, dhe bizneset kanë ngritur shqetësimin , por deri më tani asnjë shenjë e energjisë elektrike. Ndërkohë që kushtet meterologjike vijojnë të përkeqësuar për lundrimin detar era fryn nga veri-perendim, forca e detit në gjirin e Vlorës është 6-7 ballë , ndërkohë në det të hapur deri në 8 ballë, shpejtësia e erës 15-20m/s dhe lartësia e dallgës 2.5 m.

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës. Bora me intensitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 800 metra trashësia shkon deri në 35-40 cm.

Mësohet se situata është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë, pasi nuk janë pastruar, dhe lëvizin me vështirësi vetëm mjete të larta. Në rrugë nuk ka dalë asnjë mjet borëpastrues.

Rruga Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohet me vështirësi me zinxhirë

Peshkopi -Draj Reç -Kukës kalimi i vështirë deri në Zall Reç më tej drejt Ujmishtit e bllokuar.

Zonat e thella si Lura, Selishta, Kalaja e Dodës fshatrat e Sllovës, Reçit, Luznisë janë pa komunikim me qytetin.

rrethin e Bulqizës reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët, dhe trashësia në qytetin e Bulqizës shkon në 5 cm. Nuk ka probleme në rrugët e qytetit. Akset Qafa e Buallit – Krastë dhe Ura e Çerenec-Librazhd kanë kaluar mjetet borëpastruese dhe kalimi bëhet normal deri tani.

Aksi kombëtar Peshkopi – Tiranë janë në punë 5 mjete borëpastruese dhe kalimi bëhet pa probleme.

Sipas MeteoAlb:

Pjesa e parë e ditës do të vijoj të jetë nën dominimin e vranësirave të shumta, të cilat do të sjellin në ultësirën perëndimore reshje shiu.

Ndërsa në zonat malore parashikohet të ketë reshje në formë dëbore. POR në pjesën e dytë të ditës pritet përmirësim i lehtë dhe gradual i motit, duke rikthyer herë pas here kthjellimet.

Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -2°C deri në 13 °C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior- verilindor, për pasojë në brigjet detare dallgëzim 5 ballë. /albeu.com/

 


Shtuar 30.11.2021 09:07