20 marsi pushim për të gjithë nëpunësit e administratës publike

Dita e nesërme, 20 mars 2020, do të jetë pushim për të gjithë nëpunësit e administratës publike. Një vendim i tillë është marrë ditën e djeshme nga Këshilli i Ministrave.

Ndërkohë, nëpunësit civilë, përveç personelit mjekësor, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që u ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

VENDIMI:

Nr.231, datë 18.3.2020 PËR CAKTIMIN E DATËS 20 MARS 2020 DITË PUSHIMI PËR NËPUNËSIT DHE

PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995,

“Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Caktimin e datës 20 mars 2020 ditë pushimi për nëpunësit civilë dhe punonjësit tjerë në administratën publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

2. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që u ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, punonjësit që janë personel shëndetësor.

4. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama


Shtuar 19.03.2020 16:37