Në koalicion me Berishën dhe Metën, Dule pro bashkimit me Alibeajn: Opozita mos përjashtojë askënd që vendoset kundër PS

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule ka shprehur dakordësinë që opozita të garojë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit kundër mazhorancës. Në një intervistë për Euronews, ai tha se nuk është e rëndësishme logoja, por fitorja sidomos në bashkitë e mëdha, por pa anashkaluar edhe ato të vogla.

Dule i cili do të hyjë në zgjedhjet e 14 majit nën logon e koalicionit “Bashkë fitojmë”,  tha se opozita nuk duhet të përjashtojë askënd për tu vendosur kundër PS.

Koalicion i tkurrur në zgjedhjet e 14 majit?

Është koalicion shumë i gjerë, i cili nga ana teknike do garantojë fitoren në shumicën e këshillave bashkiakë dhe në bashkitë kryesore të vendit. Bashkitë e mëdha janë prioritetet e mëdha, por kjo nuk do të thotë se ne nënvlersojmë bashkitë e vogla.

Sali Berisha shkon pa logo në këto zgjedhje?

Ne në një formë të gjithë po shkojmë pa siglat tona pasi i rëndësishëm është koalciioni që do të garantojë fitoren. Siglat partiake nuk janë në plan të parë, sesa sigla e bashkimit për fitore.

Alibeaj po futet në garë për të fituar apo për të qenë patericë e Ramës?

Nuk jam i aftë të jap leksione askujt, qytetarët na kanë rezervuar vendin e opozitës dhe ne duhet të reagojmë si opozitë e unifikuar. Përtej ndasive personale e partiake kjo është ndjesia ime politike një kandidat përballë maxhorancës.

Alibeaj bën thirrje për bashkim, si e shikoni?

Nuk duhet të funksionojmë me fragmete por në bashkësi, nuk duhet që opozita të përjashtojë askënd për tu vendosur kundër PS. Besoj se jam i qartë, bashkimi nuk ka adresim nominal, bashkimi quhet bashkim kur të gjitha pjesët ti unifikosh bashkë./Albeu,com.