Banka Qendrore Europiane rrit normat me 0.25 pikë përqindjeje

Banka Qendrore Europiane (BQE) ka rritur normat e interesit me një çerek pikë përqindjeje – më pak se rritjet e mëparshme – në një shenjë se kostot e huamarrjes në Eurozonë, mund të arrijnë së shpejti kulmin e tyre.

Vendimi i BQE-së, i cili pasqyron rritjen e normës tremujore të Rezervës Federale të SHBA-së një ditë më parë, e çon normën bazë të depozitave në 3.25%, duke shënuar rritjen e shtatë radhazi, që nga mesi i vitit 2022.

Bankat qendrore në të dy anët e Atlantikut, kanë rritur në mënyrë dramatike normat, që nga viti i kaluar, si përgjigje ndaj rritjes së inflacionit. Por, me presionet e çmimeve, që kanë rënë nga kulmi i tyre dhe një krizë kredie që po afrohet, shumë ekonomistë mendojnë se cikli i shtrëngimit të normave po i afrohet fundit.

Në një lëvizje tjetër, që synon të rrisë kostot e huamarrjes, BQE tha se do të blinte më pak bono për të zëvendësuar letrat me vlerë në maturim, ndërsa kërkon të tkurrte bilancin e saj. Banka ka krijuar zotërime të mëdha obligacionesh, që nga viti 2015 dhe tani synon të shkurtojë stokun me 25 miliardë euro në muaj nga korriku, krahasuar me ritmin aktual prej 15 miliardë eurosh.

Euro u dobësua me më pak se 0.1% kundrejt dollarit, në 1.105 dollarë, ndërsa yield-i i obligacioneve gjermane dyvjeçare, të ndjeshme ndaj normave të interesit, ra me 0.07 pikë përqindje, në 2.6%.

Pas një takimi të këshillit drejtues në Frankfurt, BQE tha se “perspektiva e inflacionit mbetet shumë e lartë, për një kohë të gjatë”, por u kufizua në përsëritjen se do të vazhdojë të marrë një “qëndrim në varësi të të dhënave” për vendimet e politikave të ardhshme.

Inflacioni i Eurozonës mbetet ende shumë mbi objektivin prej 2% të BQE-së, pasi u rrit për herë të parë në gjashtë muaj, në 7% në prill, nga 6.9% në mars.

Megjithatë, pas heqjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, inflacioni bazë ra për herë të parë në 10 muaj, në 5.6% në prill.

Rritja e normave të interesit ka kontribuar në trazirat në sektorin bankar amerikan, i cili vazhdoi këtë javë me sekuestrimin e First Republic nga rregullatorët amerikanë dhe shitjen e aseteve kryesore të huadhënësit te JPMorgan Chase.

Ndërsa bankat e Eurozonës kanë qenë deri më tani më elastike, ato i thanë BQE-së në një sondazh, se kushtet e kredisë dhe kërkesa për kredi u shtrënguan me ritmin më të shpejtë, që nga krizat e mëdha financiare më shumë se një dekadë më parë.

Ekonomistët besojnë se faktorë të tillë do të freskojnë inflacionin, duke bërë të nevojshme më pak rritje të normave.

Indeksi Stoxx 600 në mbarë rajonin e Europës, nuk pati ndryshime të mëdha pas lëvizjes së BQE-së, duke u hapur 0.9% më poshtë. / The Financial Times