Nuk e lanë të flasë në foltore, Basha i përgjigjet Ramës në Twitter: Mjafton ky citim i Thaçit për të gjetur hallin e tij

Lulzim Bashës iu mbyll mikrofoni në Kuvend ndërsa ishte duke folur për Kosovën. Në mungesë të fjalës së tij ai i është përgjigjur kryeministrit Rama përmes një postimi në Twitter.

Rama e akuzoi ish-kreun e PD-së se nuk e përmendi Hashim Thaçin dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës në Kuvend, ndërsa Basha i është përgjigjur me një citim nga Thaçi.

“Kjo që gjoja ka hallin e Thaçit, e ka pasur të dëgjojë dhe të mbështesë promovimin e Novi Sadit. Mjafton ky citim i Thaçit për të gjetur hallin e tij.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal” Hashim Thaçi 18 dhjetor 2019”, shkruan Basha./albeu.com


Shtuar 21.07.2022 12:39