Dhënia me koncesion e aeroportit të Sarandës, dështon për herë të dytë tenderi! “Zbardhet” arsyeja

Tenderi për dhënien me koncesion të aeroportit të Sarandës ka dështuar për të dytën herë.

Lajmin e bëri të ditur vetë Ministria e Infrastrukturës e cila deklaron anulimin kontratës për dhënien me koncesion/partneritet publik privat, për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Sarandës.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës arsyeja që kjo gjë ka ndodhur, është sepse në garë nuk u paraqit asnjë kompani.

Ndërkohë kujtojmë që vlera minimale e tenderit ishte 34,3 milionë euro.

“Nuk është dorëzuar asnjë ofertë brenda afateve kohore, pra nuk ka pasur pjesëmarrës në garë.” njoftohet nga Ministria e Infrastrukturës.

Kujtojmë se afati për paraqitjen e ofertave ishte deri në 26 nëntor. Në bazë të njoftimit të bërë nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) më 26 tetor, investitorët me interes kishin një muaj kohë për të dorëzuar ofertat.

Procedura e parë e tenderit në Aeroportin e Sarandës u mbyll më 14 tetor. Pavarësisht ndryshimeve në kontrata dhe dy zgjatjeve të afateve, përpjekja e parë dështoi për të tërhequr asnjë ofertë dhe si duket ka dështuar edhe e dyta.

Sipas dosjes së ofertës në dispozicion në Agjencinë e Prokurimit Publik me numrin e referencës: REF-09417-10-25-2021, vlera e parashikuar e projektit është 34,320,000 Euro (pa TVSH) ndërsa kohëzgjatja e kontratës është caktuar 35 vjet.

Bazuar në dokumentet zyrtare, projekti i planifikuar (një lloj investimi Greenfield) do të zbatohej në zonën e fushës së Vurgut, gjashtë km larg Sarandës dhe në një lartësi prej 20 metrash mbi nivelin e detit./albeu.com/