Macron “zbarkon” sot në Moskë, beson në një marrëveshje për shmangie të luftës në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se beson që mund të arrihet një marrëveshje për të shmangur luftën në Ukrainë dhe se është legjitime për Rusinë që të shpërfaqë shqetësimet për sigurinë.

Para se të nisë takimet me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, ai ka bërë thirrje për “balancim të ri”, për të mbrojtur shtetet evropiane dhe për ta qetësuar Rusinë.

Ai ka përsëritur se sovraniteti i Ukrainës nuk është për diskutim.

Rusia ka mbledhur rreth 100 mijë trupa afër kufirit me Ukrainën, mirëpo mohon planet për pushtim.

Moska ka bërë disa kërkesa, përfshirë ato që Ukraina të mos bëhet anëtare e NATO-s dhe që aleanca të zvogëlojë prezencën ushtarake në lindje të Evropës.

Një ushtar ukrainas heq borën nga një portret i presidentit rus, Vladimir Putin, në rajonin Luhansk, në lindje të Ukrainës.

Perëndimi ka refuzuar këto kërkesa, duke ofruar tema tjera për diskutim, përfshirë zvogëlimin e armëve bërthamore.

Macron ka thënë për gazetën, Journal du Dimanche, se objektivi i Rusisë “nuk është Ukraina, por sqarimi i rregullave me NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.

Ai ka thënë se shpreson që dialogu me presidentin rus do të jetë i mjaftueshëm për të parandaluar konfliktin ushtarak.

Macron ka thënë po ashtu se beson që Putin do të jetë i hapur për të diskutuar çështje të mëdha.

Macron, i cili ka biseduar edhe me presidentin amerikan, Joe Biden të dielën, ka paralajmëruar kundër pritjes që Moska të marrë masa të njëanshme për të përshkallëzuar situatën dhe ka thënë se Rusia ka të drejtë të shpërfaqë shqetësimet e veta.

Mirëpo ai ka thënë edhe se dialogu me Rusinë “nuk duhet të zhvillohet përmes dobësimit të ndonjë shteti evropian”.

“Ne duhet të mbrojmë vëllezërit evropianë duke propozuar një balancim të ri, që mundëson ruajtjen e sovranitetit dhe paqes”, ka thënë ai.

Dy zyrtarë amerikanë i kanë thënë agjencisë së lajmeve, Reuters se Rusia ka mbledhur rreth 70 për qind të kapacitetit ushtarak që i duhet për pushtim të plotë ë Ukrainës.

Megjithatë, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka zvogëluar kërcënimet për pushtim të shpejtë.

“Mos u besoni parashikimeve apokaliptike. Kryeqytete të ndryshme kanë skenarë të ndryshëm, mirëpo Ukraina është e gatshme për çfarëdo zhvillimi”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona./REL/