Gjykata la sërish në burg Fredi Belerin, VOA: Arrestimi i tij ka provokuar tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbajti sërish sot në arrest me burg Fredi Belerin, kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës. Ai u arrestua 3 muaj më parë nën dyshimet për korrupsion zgjedhor me shitblerje votash. Beleri i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuar politikisht.

Arrestimi i tij ka provokuar tensione në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Qeveria shqiptare ka deklaruar se çështja është në duar të drejtësisë, dhe nuk ka lidhje me faktin se zoti Beleri i përket pakicës greke.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot përsëri masën e arrestit me burg për kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar në flagrancë nga policia nën dyshimet për korrupsion zgjedhor dhe shitblerje votash më shumë se 3 muaj më parë.

Gjykata Speciale hodhi sërish poshtë kërkesat e përsëritura për ndryshim të masës së sigurisë, për të mundësuar betimin dhe marrjen e detyrës si kryebashkiak, si dhe pavlefshmëri të akteve prej përfaqësuesve të tij, të cilët kanë pretenduar për një ndalim politik të klientit të tyre.

Zoti Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore në mesnatën e 12 majit në lokalin e tij në Himarë, ku gjendej në prani të personave të tjerë, dhe ku policia raportoi se e kapi në flagrancë duke u përpjekur të blinte vota nga disa qytetarë për të fituar mandatin e tij.

Disa ditë më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli zotin Beleri fitues të zgjedhjeve vendore me një rezultat të ngushtë përballë kandidatit socialist.

Ai i ka mohuar akuzat për shitblerje votash dhe ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që të bëjë betimin sipas ligjit, duke pretenduar për një sulm politik që po i bën atij partia e kandidatit kundërshtar në pushtet, Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ngjarja ka provokuar tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një seri zyrtarësh të parlamentit dhe qeverisë greke u kanë kërkuar autoriteteve shqiptare lirimin e zotit Beleri për bërë betimin në detyrë, duke përmendur se kjo çështje do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe në ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ky i fundit është shprehur se çështja e Beleri është çështje e drejtësisë së re, që nuk ndikohet dhe as ka presione nga qeveria dhe shumica socialiste.

Zoti Rama shprehu habinë se si kërkohet lirimi i një qytetari shqiptar me kombësi greke i akuzuar nga SPAK për shitblerje votash.

Ai theksoi se kjo çështje e drejtësisë shqiptare është politizuar deri në pikën që organizohet një protesët në Shqipëri nga autoritete të zgjedhura në Greqi, duke e quajtur surreale ndërhyrjen e plaës greke në një çështje të drejtësisë shqiptare.

Kryeministri Kyriakos Mitsotaqis ftoi një javë më parë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për një darkë jozyrtare me udhëheqës shtetërorë sot në Athinë.

Presidenti Begaj u përgjigj negativisht kësaj ftese, për shkak të pamundësisë për të udhëtuar drejt Athinës, duke deklaruar se kishte agjendën e përcaktuar më parë.

Kjo ftesë për zotin Begaj vlerësohet nga vëzhguesit si një mënyrë diplomatike për të shprehur pakënaqësitë e Athinës ndaj kryeministrit Rama, i cili përfaqëson më së shumti Shqipërisë në punët e jashtme.

Respektimi i të drejtave të pakicës greke në Shqipëri kthehet herë pas here si një temë që trazon marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë gjithë tranzicionit me shkaqe të ndryshme; herë me çështje të pronave, herë me kufijtë detarë, herë me çështje të objekteve fetare, herë me çështje të varrezave ushtarake apo të ligjit të luftës, dhe së fundi edhe me akuzat e korrupsionit zgjedhor.

Shqipëria ka ndjekur dekadën e fundit qasjen e përcaktuar nga qeveria Rama si “Zero probleme me fqinjët”, ndërsa Greqia pretendon përmbushjen nga Tirana të standarteve të BE-së, ku Tirana përpiqet të integrohet. /VOA


Shtuar 21.08.2023 19:02