Përgjimet e plota, çfarë bisedonte Ahmetaj me Zoton dhe Mërtirin e inceneratorëve: Ou qenke kthyer? Mirë kalove?

SPAK ka kërkuar arrestimin e ish-zëvendës ministrit Arben Ahmetaj, teksa ky i fundit nuk ndodhet në Shqipëri.

Lajmi është konfirmuar edhe nga avokatët e Ahmetajt gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve ku u diskutua kërkesa e SPAK.

Sipas dosjes së përgatitur nga SPAK që ka siguruar emisioni ‘Në shënjestër’, ajo që duket se e ka fundosur Ahmetajn, është lidhja e tij miqësore me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton.

Mërtiri dhe Zoto janë në kërkim sot nga drejtësia shqiptare për një nga aferat më të mëdha korruptive të shekullit të ri shqiptar, atë të inceneratorëve, që ka çuar më herët në pranga ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

Edhe pse Ahmetaj ka mohuar lidhjet miqësore me Mërtirin dhe Zoton, kërkimet e SPAK, kanë zbuluar se në fakt ata kanë qenë shumë të afërt me njëri tjetrin.

Lidhja e Ahmetaj të paktën me Mirel Mërtirin, fillon edhe më herët se Partia Socialiste të vinte në pushtet në vitin 2013.

Fakt ky i provuar përmes zbërthimit të një celulari që u gjet në shtëpinë e ish- bashkëshortes së Ahmetaj gjatë një kontrolli të kryer në kuadër të hetimeve.

Dosja Hetimore

Nga ekspertimi i aparatit telefonik të markës ‘Blackberry’, që vërtetohet se ka qenë në përdorim nga Arben Ahmetaj; aparat që është gjetur gjatë kontrollit të banesës së shtetases Albina Maçka, tregohet njohja dhe marrëdhënia e ngushtë që ish-bashkëshorti i saj, në këtë rast Arben Ahmetaj kishte me Klodian (Mirel)Mërtirin.

Por ato të cilat do të vërtetonin lidhjen e ngushtë miqësore të Ahmetaj me Mirel Mërtirin, do të ishin bisedat telefonike.

Komunikime të cilat edhe pse ishin fshirë nga Ahmetaj, u arritën të deshifroheshin nga ekspertët e IT, kjo pas kontrollit që Byroja Kombëtare e Hetimit kreu në banesën e ish-bashkëshortes së Ahmetaj, aty ku në një nga raftet u gjet i fikur edhe telefoni që dikur ai përdorte në komunikimet e tij.

Siç janë edhe këto biseda, ku Ahmetaj dhe Mërtiri i drejtohen njëri-tjetrit me shkurtimet përkëdhelëse, ‘Fratello’, ‘Tigre’ apo ‘La’.

Dosja Hetimore

Në rubrikën ‘Call log’ ka rezultuar se ndërmjet Arben Ahmetaj dhe numrit të regjistruar me emrin Klod Mërtiri, ka patur 138 komunikime telefonike, të cilat janë zhvilluar në periudhën kohore 21 Korrik 2012 -10 Tetor 2012. Çka tregon më së miri afrimitetin e tyre,

Komunikimet e datës 24 Korrik 2012:

Ora 11:00:02

Klod Mërtiri: Tek dreri jam un o la. Vonohesh???

Ora 11:00:31

Arben Ahmetaj: Për pak. Jam akoma në mbledhje grupi.

Komunikimet e datës 25 Korrik 2012:

Ora 11:25:21

Klod Mërtiri: Fratelo porosinë ta kreva.

Komunikimet e datës 06 Gusht 2012

Ora 09:20:44

Klod Mërtiri: Ok. Po vendose gjë më thuaj deri nga ora 1 të paktën se nesër në mëngjes unë nisem…

Komunikimet e datës 17 Gusht 2012:

Ora 14:10:42

Klod Mërtiri: Kam 2 or që jam kthyer në Tiranë. Ti si po kalon andej?

Ora 14:11:31

Arben Ahmetaj: Ou qenke kthyer tigre. Mir kalove?

SPAK ka siguruar të dhëna nga të cilat rezulton se Ahmetaj si influencues dhe Mirel Mërtiri si biznesmen, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin përpara se Partia Socialiste të vinte në pushtet në vitin 2013.

Siç është edhe biseda e mëposhtme, ku Ahmetaj sigurohet që ti lerë një takim Mirel Mërtirit të njohur me emrin Klodi, me kryetarin e Bashkisë në atë në kohë në Fier, Baftjar Zeqo.

Në rubrikën “Instant Messages”, ndër të tjera është gjeneruar edhe një mesazh në të cilën përmendet emri i ‘Klod Mërtirit’.

Ky mesazh rezulton të jetë dërguar nga shtetasi Arben Ahmetaj, në datë 13 Shtator 2012, ora 15:27, drejtuar kontaktit të tij të regjistruar me emër ‘Baftjari Fier’.

Në përmbajtje të mesazhit, Arbeni i kërkon Baftjarit që të ulen një ditë për kafe së bashku me Klod Mërtirin.

Arben Ahmetaj, ora 15:27: ‘I dashur dua të ulemi këto ditë për kafe unë ti dhe Klod Mërtiri. Ben Ahmetaj’

Ky është edhe momenti kur provohet lidhja e Mirel Mërtirit e Klodian Zotos, dy njerëzit më të rëndësishëm të inceneratorëve me Arben Ahmetaj.

Ndërsa SPAK, mendon se pavarësisht se Ahmetaj, nuk del të ketë firmosur në asnjë dokument të tillë që mund ta implikojë ligjërisht, ai ka përdorur miqësinë dhe influencën e tij si Ministër i Financave, për tu hapur rrugë procedurave të inceneratorëve, me qëllim për të dorovitur me qindra milionë euro miqtë e tij biznesmenë.

Nga të cilët, përpos vilave dhe apartamentëve të përfituara nëpërmjet shitje- blerjeve fiktive, për të fshehur origjinën e vërtetë të burimit të parave, duket se ka pranuar në këmbim nga Mërtiri dhe Zoto, edhe dhurata modeste, që e kanë çuar SPAK drejt gjurmëve të bashkëpunimit të tyre.

Siç janë edhe biletat e avionit apo të qëndrimeve në hotele të njohura jashtë vendit.

Dosja Hetimore

Shtetasi Arben Ahmetaj, ka ushtruar funksionin e ministrit përgjatë kryerjes së procedurave për dhënien e koncensionit të inceneratorëve apo edhe gjatë kohës së zbatimit të tyre. Nga të dhënat e administruara rezulton se Arben Ahmetaj ka pasur njohje me shtetasin Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) por edhe me shtetasin Klodian Zoto, që shkojnë edhe në një marrëdhënie më të ngushtë miqësore.

Nga të dhënat e administruara deri në këtë moment, rezulton se ka qenë faktori kryesor, që ka bërë shoqërinë ‘Albtek Energy’ sh.p.k. të përfitojë koncensionin e mësipërm, kundrejt dhënies së përfitimeve/shpërblimeve të padrejta, shtetasit Arben Ahmetaj.

Sipas SPAK këto dyshime u përforcuan edhe më shumë nga kqyrja e kompjuterëve të Klodian Zotos gjatë hetimit të kryer në vitin 2020.

Nga ku dolën edhe disa e-maile, nga ku përforcohet dyshimi se Arben Ahmetaj, ish bashkëshortja e tij dhe partnerja aktuale dyshohet se kanë përfituar shpërblime të padrejta nga bosët e inceneratorëve të cilët janë në arrati.

Ndër këto episode janë edhe dy të mëposhtmit, ku Klodian Zoto del se i ka paguar Arben Ahmetajt dhe partneres së tij qëndrimin në hotele në Milano dhe Vjenë.

Dosja Hetimore

Më datë 19 Janar 2014, ora 14:10 dhe 14.11, shtetasi Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri, kanë dalje nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjën ajrore AUSTRIAN AIRLINES – OS 847/848 VIENA dhe ka datë hyrje në Shqipëri më 22 Janar 2014, ora 14:17 dhe 14.20 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjë ajrore AUSTRIAN AIRLINES-OS 847/848 VIENA.

Më datë 13 Korrik 2017, ora 14.21 dhe 14:22, shtetasi Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri kanë dalje me autoveturë me targë AA908PY nga pika kufitare Kapshticë.

Gjithashtu, edhe me shtetasin Klodian Zoto evidentohet të paktën një rast i përbashkët e konkretisht kur shtetasit Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto, kanë datë hyrje në Shqipëri më

14 Prill 2013, ora 11:47 dhe 11.44 nëpërmjet aeroportit të Rinasit me linjën ajrore ALITALIA – AZ 510/507 ROMË.

Sa më sipër, rezulton se të tre këta shtetas udhëtojnë brenda së njëjtës ditë, me të njëjtën linjë fluturimi dhe në të njëjtin destinacion, që është shteti italian.

Gjithashtu, ka rezultuar se ndërmjet shtetasit Arben Ahmetaj, Lefter Koka dhe Alqi Bllako, ka pasur udhëtime të përbashkëta.

Në kërkesën e SPAK thuhet se: “…vlerësohet se janë përfitime të parregullta, të dhëna personit nën hetim Arben Ahmetaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën dhe funksionin e tij, sjellje kjo e personit nën hetim që i ka mundësuar shtetasve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe subjekteve tregtare të regjistruara në emër të tyre apo të afërmve të tyre apo të kontrolluara prej tyre, lidhjen e kontratave, në lidhje me kuadrin e procedurave koncesionare të nisura nga Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit,”


Shtuar 12.07.2023 21:17