BE deklaratë për “5 kriteret për Asociacionin”: Palët ta shmangin çdo retorikë dhe veprim jokonstruktiv

Kosova ka marrë përsipër ta themelojë Asociacionin dhe ndërkombëtarët presin që kjo punë të kryhet shpejt. Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë përmendi 5 kritere si “siguresa” për të cilat tha se ka pajtim në Bruksel, që kjo bashkësi komunash të mos jetë “Zajednicë”. Në Beograd e mohuan këtë. BE-ja s’i jep të drejtë asnjërës palë, por iu bën thirrje atyre që të mos e prishin zbatimin e marrëveshjes së fundit, që synohet të përfundojë deri në fund të vitit.

Shpejt pritet të bëhen konkretë hapat që Kosovës do t’i duhet t’i bëjë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në Bruksel dhe në Washington më nuk kanë dyshime se kjo do të ndodhë.

Kryenegociatoriët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq të martën zhvilluan një takim në Bruksel dhe zbatimi i marrëveshjes së fundit ishte temë kryesore.

Pas takimit Bislimi paralajmëroi prezantimin e një drafti për statutin e Asociacionit nga ekipi menaxhues.

Sipas Bislimit, do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a do të jetë i pranueshëm ai draft si bazë për diskutim. Tha se ato “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimit nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica”.

“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai të enjten në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

“Në ç’masë është në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini ia ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, shtoi Bislimi.

Për këto kritere, zëvendëskryeministri tha se “ka një dakordim të plotë në Bruksel”.

Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq reagoi shpejt duke thënë se Bislimi “po i sajon gjërat”.

“Një gënjeshtër e pastër e Bislimit! Në Bruksel nuk u përmend asnjë fjalë për “pesë kriteret për Asociaiconin” për të cilat ai flet sot. Ata folën për Statutin e Asociacionit dhe Ekipin Menaxhues. Bislimi po i sajon sërish gjërat, duket se dëgjoi atë që donte, jo atë që thuhej”, shkroi Petkoviq në Twitter, duke thënë se Asociacioni mund të bëhet “vetëm në përputhje me marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015”.

Në Bruksel nuk e kanë konfirmuar e as mohuar atë që e tha Bislimi. Por zëdhënësi kryesor për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Europian, Peter Stano i tha Gazetës Express në një përgjigje me shkrim se palët “duhet të shmangin çdo retorikë dhe veprime kundërproduktive/jokonstruktive që kanë potencial ta prishin zbatimin dhe ta rrezikojnë stabilitetin në terren”.

“BE pret që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë të gjitha detyrimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi i arritur në Ohër dhe të fillojnë zbatimin e tyre pa vonesë”, tha Stano.

Bislimi dhe Petkoviq “diskutuan çështje të shumta” të martën, tha ai

“Është e qartë se nevojiten më shumë bisedime për të gjitha çështjet në rendin e ditës për të arritur përparim”, tha zëdhënësi i BE-së, duke shtuar se palët janë pajtuar që të takohen sërish.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që deri më 18 prill ta krijojnë një komitet të përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e të gjitha dipozitave të marrëveshjes dhe do të udhëhiqet nga Bashkimi Europian.

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka pranuar se synojnë që zbatimi i marrëveshjes së arritur më 27 shkurt dhe 18 mars të përfundojë deri në fund të vitit./express