Zbuloi se kishte kancer ditën kur u bë nënë, thirrja e saj pë të gjitha gratë: Ju lutem mos bëni gabimin tim

“Të sjellësh një fëmijë në jetë është diçka e jashtëzakonshme. Në rastin tim, jo vetëm që unë dhe im shoq krijuam një jetë të re, por fëmija jonë shpëtoi edhe jetën time. Në janar të vitit 2018, disa muaj përpara se të lindja, mjeku obstetër vuri re tek unë një anomali në qafën e mitrës. Ai dyshonte për kancer dhe dyshimi i tij u vërtetua.

Kisha frikë. Frika e parë lidhej me jetën time. Mendoja me vete nëse do t’ia dilja mbanë, apo do të vdisja. Frika tjetër lidhej me fëmijën tonë, nëse edhe ai do të vuante nga ndonjë tumor apo jo. Për fat të mirë, Lucas lindi me operacion, por i shëndetshëm. Menjëherë pasi e pashë ta nxirrnin nga barku im, më vendosën nën anestezi të përgjithshme për t’iu nënshtruar procedurës së heqjes totale të mitrës. Pas kirurgjisë, në biopsi u vu re se tumori ishte përhapur, ndaj duhej të ndiqja edhe disa seanca kemioterapie dhe radioterapie. Arrita t’ia dilja mbanë dhe me kalimin e kohës iu riktheva jetës normale dhe punës sëmëparshme. Nuk e dija se kjo ishte vetëm njëra betejë që duhet të kaloja.

Pas 15 muajsh “qetësie”, fillova të ndieja zmadhim të gjëndrave të qafës. Kanceri ishte rikthyer dhe ishte përhapur sërish. Duhet të ndiqja prapë seanca të tjera radioterapie dhe kemioterapie. Kyraund ishte edhe më i vështirë se i pari si nga ana fizike, dhe ajo emocionale. Ishte e vështirë t’ia shpjegoja familjes sime se situata ishte përsëritur dhe shanset e mbijetesës ishin më të vogla këtë herë. Ndihesha aq e pafuqishme, saqë “ia dorëzova” Lucas-in të afërmve të mi të kujdeseshin për të. Pyesja veten nëse do e shihja të rritej apo jo.

Shkoja për kemioterapi çdo javë dhe më pas, me rekomandimin e mjekut onkolog, duhet të ekspozohesha nën një dozë më të lartë radioterapie. Kjo dozë më shkaktoi djegie të gradës së dytë dhe vështirësi në lëvizjen e krahut të majtë. Mjeku menjëherë vendosi të kaloja një periudhë pushimi deri në vazhdimin e trajtimit.

Ajo periudhë ishte periudhë reflektimi për mua. Vendosa të kaloja më tepër kohë me familjen dhe djalin tim. Bashkë me tim shoq, e çuam Lucas-in në Disney World dhe në muajt nëvazhdim, çdo moment qëndroja pranë tim shoqi dhe djalit tonë. Në korrik iu riktheva sërish trajtimit. Dy muaj më vonë, jam lumturuar nga fjalët e mjekut që më ndiqte: “Ky është pet skaneri më i bukur që kam parë ndonjëherë”, tha ai. Për herë të parë në këto vite, mund ta quaja veten të shpëtuar nga kanceri.

Kjo periudhë më bëri të kuptoja më tepër rëndësinë e kohës, familjes dhe të jetuarit të shëndetshëm. Jam e lumtur që ia dola dhe nuk do e marr si të mirëqenë asnjë sekondë të jetës sime. Çdo sekondë është një dhuratë që na falet.

Dua t’i jap një këshillë gjithë femrave për të mos bërë gabimet që unë bëra. Nuk shkova asnjëherë të bëja një pap test, një test tepër i thjeshtë për të zbuluar kancerin e qafës së mitrës. Nëse nuk do të isha shtatzënë, nuk do e kisha zbuluar kurrë dhe kush e di se sa do të avanconte kanceri në trupin tim. Situata që kalova më bëri të kuptoj rëndësinë e shëndetit dhe kontrollit periodik. Duhet ta konsiderojmë përherë serioz shëndetin. Nuk duhet të kemi frikë nga mjekët dhe as të ndalemi për kontrollet shëndetësore, thjesht se mund të mos kemi mundësi ekonomike”. – Mayte Sanchez