Rusia fajëson Ukrainën për bombën që vrau blogerin ushtarak

Autoritetet ruse fajësuan të hënën agjencitë e zbulimit të Ukrainës për orkestrimin e shpërthimit në kafenenë në Shën Petersburg ku u vra blogeri rus që mbështeste me entuziazëm sulmin e Rusisë në Ukrainë, si dhe arrestuan një të dyshuar.

Autoritetet ukrainase nuk iu përgjigjën drejtpërdrejt akuzës, por Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se nuk mendon për zhvillimet në Rusi, dhe një tjetër zyrtar i lartë e përshkroi sulmin me bombë si pjesë e trazirave të brendshme të Rusisë.

Vladlen Tatarsky, 40 vjeç, u vra të dielën ndërsa po drejtonte një bashkëbisedim në një kafene përgjatë Lumit Neva, në zemrën historike të qytetit të dytë më të madh të Rusisë, thanë zyrtarët. Zoti Tatarsky, i cili dërgonte rregullisht njoftime nga fronti i luftimeve në Ukrainë, e përdorte këtë pseudonim në vend të emrit të tij të vërtetë – Maxim Fomin. Ai kishte tërhequr mbi 560 mijë ndjekës në kanalin e tij në rrjetin e mesazheve Telegram.

Nga shpërthimi u plagosën mbi 30 persona, dhe 10 prej tyre ishin në gjendje të rëndë, thanë autoritetet.

Hetuesit besojnë se bomba ishte fshehur brenda një busti që iu dha zotit Tatarsky pak përpara shpërthimit. Ai shfaqet në një filmim duke bërë shaka me bustin dhe duke e vendosur atë në një tavolinë pranë tij.

Autoritetet ruse njoftuan arrestimin e Darya Trepovas, banore 26-vjeçare e Shën Petersburgut, e cila u pa në video duke i dhënë bustin zotit Tatarsky. Vitin e kaluar, zonja Trepova ishte ndaluar nga policia për pjesëmarrjen në tubimet kundër luftës në Ukrainë, që filloi në shkurt 2022.

Ministria e Brendshme qarkulloi një video të shkurtër ku shfaqet zonja Trepova duke i thënë një oficeri të policisë se e kishte sjellë ajo statujën që shpërtheu në kafene. Kur e pyetën se kush ia kishte dhënë, ajo tha se do ta shpjegonte këtë më vonë.

Sipas njoftimeve në mediat ruse, zonja Trepova u tha hetuesve se i kishin kërkuar që ta dorëzonte bustin, por se nuk dinte se çfarë ishte vendosur brenda tij.

Komiteti Kombëtar Kundër Terrorizmit, që koordinon operacionet antiterror, deklaroi se sulmi me bombë ishte “planifikuar nga shërbimet speciale të Ukrainës”, dhe vuri në dukje se zonja Trepova ishte “një mbështetëse aktive” e udhëheqësit të burgosur rus Alexei Navalny.

Zoti Navalny, një kundërshtar i ashpër i Kremlinit që pati ekspozuar korrupsionin e zyrtarëve dhe pati organizuar protesta masive kundër qeverisë, po vuan një dënim nëntëvjeçar, të cilin e ka denoncuar si hakmarrje politike.

Bashkëpunëtori i tij, Ivan Zhdanov, paralajmëroi se autoritetet mund t’i përdornin akuzat false për përfshirjen në këtë sulm të mbështetësve të udhëheqësit opozitar, për të inskenuar një tjetër proces gjyqësor që do të zgjaste dënimin e tij me burg. Ai gjithashtu akuzoi se mund të ishin agjencitë ruse të sigurisë që fshiheshin pas shpërthimit, duke synuar që ta paraqesin zotin Navalny si një “armik i brendshëm”.

Sipas njoftime në mediat ruse, policia gjurmoi zonjën Trepova nëpërmjet kamerave të sigurisë, megjithëse u tha se pati prerë flokët e saj të gjatë bjondë për të ndryshuar pamjen dhe se ishte zhvendosur në një tjetër apartament në përpjekje për t’i shpëtuar kapjes.

Blogerët ushtarakë dhe komentuesit patriotikë e krahasuan sulmin me bombë me vrasjen në gusht 2022 të komentueses në televizionin kombëtar Darya Dugina, e cila u vra me një mjet shpërthyes të telekomanduar nga distanca, që ishte vendosur nën makinën e saj dhe që shpërtheu kur ajo po udhëtonte në rrethinat e Moskës.

Autoritetet ruse fajësuan shërbimin ushtarak të zbulimit të Ukrainës për vdekjen e zonjës Dugina, por Kievi mohoi ndonjë përfshirje të mundshme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se sulmet ndaj zonjës Dugina dhe zotit Tatarsky provojnë se Moska ishte e justifikuar kur filloi atë që e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.

Moska ka ofruar një sërë shpjegimesh për sulmin, që është denoncuar nga Ukraina dhe Perëndimi si një akt agresioni i paprovokuar, dhe ka ofruar pak ose aspak evidencë për akuzat.

“Rusia iu kundërvu regjimit në Kiev, që ka mbështetur aktivitete terroriste”, tha zoti Peskov gjatë një telefonate me gazetarët. “Prandaj po zhvillohet operacioni special ushtarak”.

Yevgeny Prigozhin, milioneri nga Shën Petersburgu që drejton grupin paraushtarak Wagner që është vendosur në krye të sulmit të Rusisë në Ukrainën lindore, tha se kafeneja ishte në pronësi të tij dhe se ai ua lejonte grupeve patriotike që ta përdornin kafenenë për takime. Ai tha se dyshon që në sulmin me bombë të jenë përfshirë autoritetet ukrainase, dhe tha se kishte më shumë gjasa të jetë bërë nga një “grup radikalësh” pa lidhje me qeverinë në Kiev.

I pyetur nga gazetarët për sulmin me bombë, Presidenti ukrainas Zelenskyy tha: “Nuk mendoj për ato çfarë ndodhin në Shën Petersburg apo Moskë. Rusia duhet të mendojë për këto. Unë mendoj për vendin tonë”.

Megjithëse nuk kanë përgjegjësinë për shpërthime të ndryshme, me bomba apo sulme të tjera brenda Rusisë që kur filloi sulmi, autoritetet ukrainase i kanë përshëndetur ato shpesh në mënyrë festive dhe kanë këmbëngulur se Ukraina e ka të drejtën për të bërë sulme të tilla.

Këshilltari i presidencës ukrainase Mykhailo Podolyak reagoi ndaj lajmeve për sulmin me bombë duke e përshkruar atë si rezultat i përplasjeve të brendshme në Rusi.

“Merimangat po hanë njëra-tjetrën në kavanoz”, shkruajti ai në anglisht në Twitter të dielën vonë. “Pikëpyetja se kur terrorizmi i brendshëm do të bëhej instrument i përplasjeve të brendshme politike ishte vetëm çështje kohe”.

Të hënën, zoti Podolyak tha se Rusia është “rikthyer tek klasikët sovjetikë”, duke vënë në dukje izolimin e saj, rritjen e rasteve të spiunazhit dhe rritjen e represionit politik.

Javën e kaluar, shërbimi rus i sigurisë njoftoi arrestimin e gazetarit amerikan Evan Gershkovich me akuza për spiunazh, hera e parë kjo që një korrespondent amerikan arrestohet me akuza të tilla që nga periudha e Luftës së Ftohtë. Gazeta për të cilën ai punon, The Wall Street Journal, mohoi me forcë akuzat dhe kërkoi lirimin e tij.

Zoti Tatarsky u lind në zemrën industriale të Ukrainës, në Donbas, dhe punoi në një minierë qymyrguri, përpara se të fillonte një biznes për tregtimin e mobiljeve. Kur hasi në vështirësi financiare, ai grabiti një bankë dhe u dënua me burg.

Ai u arratis nga burgu kur rebelimi i separatistëve të mbështetur nga Rusia përfshiu rajonin Donbas në vitin 2014, pak javë pasi Moska aneksoi ilegalisht Gadishullin ukrainas të Krimesë. Në vazhdim, ai iu bashkua rebelëve separatistë dhe mori pjesë në luftime, përpara se të filonte aktivitetin si bloger.


Shtuar 3.04.2023 21:41

Tags: ,