Si mund të përdoren asetet e sekuestruara të Rusisë për ta shkatërruar ushtrinë e saj

Nga John Pietro “The Specator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pas 13 muajsh luftë, infrastruktura e Ukrainës është e shkatërruar. Ushtria e saj po përgatitet për një kundërsulm, dhe ekonomia e saj nuk ka gjasa të ecë më mirë këtë vit sesa vitin e kaluar. Kievit do t’i duhen më shumë para nga Perëndimi, dhe Perëndimi duhet t’ia sigurojë ato.

Nevoja për para është e qartë, por vullneti për t’ia siguruar Kievit është i dobët si në Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe në Evropë. Për fat të mirë, ekziston një mënyrë për të shmangur këtë problem, dhe kjo falë Bankës Qendrore të Federatës Ruse.

Krongresmenia nga Oklahoma, Stephanie Bice, sapo ka dorëzuar në Kongres aktin “Make Russia Pay” (Bëje Rusinë të Paguajë), i cili e autorizon qeverinë federale të sekuestrojë dhe përvetësojë asetet financiare ruse që aktualisht janë të ngrira në SHBA.

Bice thotë: “Në fillim të pushtimit, Banka Qendrore Ruse kishte rreth 100 miliardë dollarë amerikanë… Projektligji im do të sigurojë që kjo shumë të shkojë për Ukrainën. Drafti është në thelb një Plan Marshall dhe është një mënyrë fiskale e përgjegjshme përmes së cilës Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime kundër makinerisë ruse të luftës dhe për ta mbajtur përgjegjës për luftën Putinin dhe oligarkët e tij”.

Ndërsa ideja e likuidimit dhe përdorimit të aseteve ruse në Amerikë po qarkullon përtej disa kohësh, pengesat ligjore (dhe një administratë e ngadaltë) kanë sjellë pak përparim në këtë aspekt. Muajin e kaluar, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen tregoi se këto para nuk do të jenë në dispozicion të shpejti për Ukrainën.

Në këtë aspekt, edhe BE-ja mund të jetë përpara Uashingtonit. E them këtë jo për të minimizuar konsideratat ligjore – të cilat janë të shumta – por për të sugjeruar që ato nuk

janë menaxhuar me urgjencën e nevojshme.

Megjithatë akti “Make Russia Pay”, do ta bënte të pavlefshme shumicën e këtyre shqetësimeve ligjore të brendshme, sepse do t’i jepte ekzekutivit një autoritet të qartë për të likuiduar dhe përdorur asetet ruse për ndihmën humanitare, rindërtimin dhe sigurinë e Ukrainës në të ardhmen.

Në çdo rast, ekzistojnë edhe shqetësime të tjera që ia vlejnë të adresohen. E para është se nëse likuidohen rezervat, Shtetet e Bashkuara do të humbasin çdo lloj mekanizmi ndikues kundër Putinit. Sepse deri tani dominon hipoteza se SHBA mund t’i mbajë peng paratë ruse si një nxitje për Moskën që të largohet nga Ukraina, të ndalë luftën dhe të marrë paratë e saj.

Edhe pse kjo logjikë është e drejtpërdrejtë, ajo nuk qëndron. Paratë janë të ngrira për më shumë se një viti, por pushtimi po vazhdon. Nëse Putin ka qenë i gatshëm të humbasë mbi 100.000 trupa, të tolerojë krizën e madhe ku është zhytur ekonomia ruse për shkak të sanksioneve të mëdha perëndimore dhe të bëhet i varur nga Kina, 100 miliardë dollarë nuk do t’i ndryshojnë dot mendje nga planet që ka.

Putini e ka vënë bastin e tij dhe më e mira që mund të bëjë tani Perëndimi është ndëshkimi sa më i ashpër i tij. Përdorimi i parave të sekuestruara të Rusisë për financimin e mbrojtjes së Ukrainës, do të ishte një shtysë më e qëndrueshme që Moska të ndryshojë kursin.

Një shqetësim tjetër është se nëse SHBA do të vendosë të mos njohë imunitetin ligjor të Bankës Qendrore Ruse, vendet e tjera do të bënin të njëjtën gjë me SHBA-në. Por në këtë rast nuk ka pse të ketë shumë arsye për shqetësim, sepse Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mos marrin shumë mbrojtje në gjykatat e këtyre vendeve.

Nëse aleatët do të bien dakord me Amerikën për likuidimin e aseteve të një vendi që është ekonomikisht i vogël dhe që po sillet në kundërshtim të hapur me ligjin ndërkombëtar, atëherë asetet tona nuk janë të sigurta. Aleatët, partnerët dhe fuqitë neutrale kanë pak interes për të ndjekur imunitetin sovran të SHBA-së dhe nëse SHBA-ja jep shembullin e para, sidomos ata në botën perëndimore, nuk duhet të kenë shumë probleme me përdorimin e aseteve ruse.

Dhe kjo na çon tek shqetësimi i tretë: duke sekuestruar dhe likuiduar aktivet e Bankës Qendrore të Rusisë, do të goditet pozita e Amerikës në krye të sistemit financiar botëror, sepse fuqitë e tjera do të jenë më të kujdesshme për vendosjen e rezervave të tyre valutore në Amerikë.

Megjithatë, siç e theksojnë Philip Zelikow dhe Simon Johnson, kjo është shumë pak dhe tepër vonë. Duke ngrirë rezervat e Bankës Qendrore Ruse, SHBA-ja e ka bërë të qartë se asetet e vendeve agresore nuk do të gjejnë një strehë të sigurt.

Nëse Pekini nis përgatitjet për të pushtuar Tajvanin, heqja e aseteve të tij nga brigjet amerikane do të jetë në listën e detyrave, pavarësisht nëse asetet ruse likuidohen apo jo. Sa për pjesën tjetër të botës, asgjë nuk do të ndryshojë për ata që e dinë se nuk kanë asnjë arsye për t’u frikësuar.

Përfitimet nga marrja nën kontroll të rezervave valutore të Rusisë janë të dukshme. Nëse SHBA-ja do të arrijë të bindë edhe aleatët e saj, atëherë do të jenë në dispozicion rreth 300 miliardë dollarë. Kjo shumë do të garantonte fitoren e Ukrainës dhe rindërtimin e saj pas luftës.

Po ashtu, do të ndihmonte në zbutjen e pakënaqësive brenda aleancës për financimin e ndihmës për Ukrainën, një problem që kërcënon të vonojë ose të prishë paketat e ardhshme të mbështetjes. Dhe siç thotë zonja Bice “Rusia duhet të paguajë çmimin për shkatërrimin e tyre dhe pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës”.

Cila do të ishte mënyra më e mirë sesa kjo për ta kërkuar atë çmim, sesa duke përdorur paratë e Putinit për të ndihmuar në shkatërrimin e ushtrisë së tij? Me hyrjen e luftës në një fazë tjetër kritike, shpejtësia dhe vendosmëria e mbështetjes perëndimore do të jenë kyçe. Akti “Bëje Rusinë të Paguajë”, është një mjet i rëndësishëm për të siguruar që ndihma perëndimore të vazhdojë të rrjedhë, dhe që ukrainasit të kenë burimet që u nevojiten për ta çuar këtë luftë deri në përfundimin e saj. /albeu.com


Shtuar 7.04.2023 12:51