“Fokusi” nxjerr 4 mijë policë dhe 20 drone në terren, asgjësohen mbi 10 mijë bimë narkotike (VIDEO)

Policia e Shtetit vijon operacionin antikanabis të koduar “Fokusi”.

Gjatë kësaj jave, kontrollet kundër kultivimit të bimëve narkotike janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në Thumanë, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella

Në megaoperacion janë angazhuar 4000 punonjës policie dhe janë përdorur 20 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, janë asgjësuar në total 10 106 bimë narkotike cannabis sativa.

Si autorë të dyshuar të rasteve të evidentuara, janë arrestuar 2 shtetas, janë shpallur në kërkim 5 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 6 shtetas, nga këta 3 kryetarë fshatrash dhe 2 inspektorë pyjesh, ndërsa 1 shtetas është proceduar për moskallëzim krimi.

Në malësinë e Krujës dhe në Thumanë, si rezultat i fazës së 37-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 6000 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.

-Si autor i dyshuar për kultivimin e 305 prej këtyre bimëve, u vu në pranga shtetasi A. D., 27 vjeç. Gjithashtu, për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. K., për moskallëzim krimi.

Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 15-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 3312 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Vau i Dejës dhe Pukë.

-Si autor i dyshuar i rastit të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gjegjan, Pukë, është vënë në pranga shtetasi P. M., 64 vjeç, ndërsa për rastin e kultivimit në fshatin Mnelë e Vogël, Vau i Dejës, u shpall në kërkim shtetasi N. M., 42 vjeç.

Në qarkun Lezhë, në fshatra të ndryshme në Mirditë, Kurbin dhe Lezhë, në kuadër të fazës së 35-të të operacionit policor të koduar “Imazhi” u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 600 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

-Në vijim të veprimeve procedurale për rastet e evidentuara gjatë kësaj faze, u shpallën në kërkim shtetasit:

B. Z., 46 vjeç, K. S., 26 vjeç, K. S., 21 vjeç dhe K. B., 57 vjeç, të gjithë banues në Kurbin, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike që janë gjetur në fshatrat Vinjoll dhe Gernac, Kurbin.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

I. B., B. P. dhe L. P., kryetarë të fshatrave Gernac, Vinjoll dhe Krajen;

P. Gj. dhe P. S., inspektorë pyjesh në zonat ku janë gjetur bimë narkotike.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 9-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 194 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në 2 fshatra të bashkisë Tropojë.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.


Shtuar 3.09.2023 14:50