Skriniar: Tottenham? Nuk më intereson asnjë ekip tjetër, dua vetëm Interin

Nga grumbullimi me kombëtaren sllovake, ku po përgatit katër ndeshjet e Ligës së Kombeve të planifikuar nga data 3 deri më 13 qershor, Milan Skriniar bën një bilanc të sezonit me Interin, duke mos fshehur pak zhgënjimin për dështimin për të fituar Scudetton e dytë radhazi.

“Humbja e Scudettos na mërziti shumë të gjithëve. Edhe pse nuk e fituam titullin e Serie A, ne fituam dy trofe të tjerë shumë të rëndësishëm në Itali, Kupën dhe Superkupën e Italisë. E kishim Scudetton në dorë, por nuk ia dolëm. Humbja ndaj Milanit nuk ishte fatale për ne, por gabuam rëndë ndaj Bologna-s, ajo na la pas.”

E pashmangshme që, më vonë, fjalimi rrëshqiti në të ardhmen e tij, ku kohët e fundit po flitet për një interesim të Antonio Conte për ta sjellë në Tottenham.

“Kam një kontratë me Interin dhe jam i lumtur në Milano, mua nuk më intereson asnjë ekip tjetër. Këto thashetheme dalin pothuajse çdo vit ose çdo gjashtë muaj. Vjet fituam Scudetton, këtë vit Kupën dhe Superkupën. Kemi ende për çfarë të luftojmë, kështu që kemi vendosur objetkiva. Mendoj se sezonin e ardhshëm do të jemi konkurrues në të gjitha frontet, do të jemi akoma edhe më të pjekur. Nuk më interesojnë ekipet e tjera, dua të qëndroj tek Inter”, ishin fjalët e mbrojtësit zikaltër./ h.ll/albeu.com


Shtuar 31.05.2022 08:20