“Shenjestra” ishte vëllai i Sanajt/ Autorët vranë një të pafajshëm në Lezhë? Një femër dhe përplasje të mundshme jashtë vendit, dy nga“pistat” ku po heton policia

E pritën derisa zbriti bashkëshorten dhe fëmijën. E pritën sa parkoi makinën në garazh dhe pastaj e qëlluan barbarisht me kallashnikov. Mbeti i vrarë në vend, aty në hyrje të parkimit në vendin e quajtur “Kodra e Diellit”, e cila njihet si zona preferenciale, jo vetëm e të pasurve dhe njerëzve me influencë, por edhe e personave të dyshimtë.

Një krim që besohet se ishte paraprirë nga një vazhdë gjaku dhe që policia këmbëngul paraprakisht se u ndez pikërisht për konkurrencën mes meshkujsh për një femër.

Policia në të dhënat e para, beson se viktima Briken Sanaj 39 vjeç, u vra për shkak të konflikteve që ka pasur më herët vëllai i tij, Antonio Sanaj.

Konflikti që ka shtyrë autoritetet të hapin dosjet, lidhet me sherrin e 29 marsit 2012, që pati të shtëna armësh, e që më pas nuk u la me kaq.

Por për të marrë “barazimin”, palët qëlluan në një lokal në Lezhë, duke vrarë një të pafajshëm.

Si nisi konflikti

Historiku i dy familjeve kundërshtare, tregon se si dy të rinjtë që u përplasën me njëri-tjetrin, Gentian Kola nga njëra anë dhe Antonio Sanaj nga ana tjetër, u larguan nga Lezha.

Ashtu si i vëllai, edhe viktima e radhës, bëjnë me dije burimet e Gazetasi.al, u larguan nga Shqipëria, por u rikthye me shpresën se hasmëritë i përkisnin të kaluarës.

Një skemë paraprake që ndërtuan agjentët e hetimit të vrasjeve, thuhet se vëllai i Briken Sanajt, pas konfliktit për një vajzë këtu e 10 vite më parë (sherr i ndodhur në Lezhë), qëlloi me armë zjarri dhe plagosi shtetasin Gentian Kola.

Nga ky vit (2012), sipas policisë, meshkujt e të dyja familjeve u vunë në gjurmim të njëri-tjetrit.

Sipas policisë, nga ky atentat i dështuar, familjet shpallën në vitin 2014 statusin e hasmërisë dhe në dosjet policore të Lezhës, shkruhet se familja e Viktor Kolës, e cila banon në ishull Lezhë, mund të thuhet se është në hasmëri gjakmarrjeje me familjen e Mark Sanajt, thoshte në atë kohë një agjent terreni, i cili shkruante dhe raportonte tek eprorët situatën e nxehtë.

Hasmëria dhe objektivi i gabuar

Bëhet me dije se tre vjet pas ndezjes së konfliktit për një grua, në vitin 2015, i riu që mbeti i plagosur, Gentian Kola, mori masa dhe në mënyrë gjakftohtë, përgatiti planin për t’u kundërpërgjigjur.

Policia dyshoi se në korrik 2015, njerëzit që qëlluan me armë zjarri në drejtim të Antonio Sanajt, i cili gjendej në rrugën “Besëlidhja”, kishin lidhje direkte me kundërshtarët e tij.

Por në këtë atentat u dyshua, po ashtu si vrasësit që ngatërruan objektiv dhe nga të shtënat ndërroi jetë aksidentalisht 23-vjeçari Kristjan Marku dhe u plagos Altin Gjonaj.

Ngjarja ndodhi para 7 vjetësh rreth orës 21:35 në lokalin “Libraria” në lagjen “Besëlidhja” përballë kompleksit të shkollave, ku viktima sapo dilte nga një lokal.

Ndonëse u vendosën 5 mijë euro shpërblim dhe qytetarët protestuan duke kërkuar arrestimin e vrasësve dhe gjetjen e tyre, autorët nuk u zbuluan.

Megjithatë, policia kishte në sirtar një pistë, të cilën e mbajti vetëm teorikisht, pasi edhe ndër vitet që pasuan, ajo nuk u plotësua me prova bindëse.

Pavarësisht se patën në skedarë në atë kohë emrin e Gentjan Kolës, një 41- vjeçar nga ky qytet, për autoritetet nuk u realizua zbardhja e krimit, ashtu si edhe as autorësia e plagosjes së tij, që sërish u dyshua se kishte si shkrepës arme Antonio Sanajn.

Vetëm një femër?

Megjithatë, Policia e Tiranës thekson për Gazetasi.al se këto të dhëna janë përftuar nga analizimi i parë fill pas atentatit të së dielës.

Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera, siç është ajo e përplasjeve për ngjarje të tjera, potencialisht të ndodhura jashtë Shqipërisë.

Por policia kriminale nuk është në gjendje të sqarojë se për çfarë konfliktesh bëhet fjalë.

“Mënyra si u qëllua 39-vjeçari, tregon se vrasësit e dinin që ai gjendej këtu për një ceremoni martesore të të afërmit të tij. E kanë ndjekur qetësisht dhe në formë të kalkuluar dhe po ashtu kanë pritur derisa ai të mbetej vetëm për ta vrarë”, – shpjegon një oficer krimesh për Gazetasi.al.

Sipas tij, fakti që vrasësit e dogjën më pas makinën, tregon se krimi u planifikua qetësisht dhe profesionalisht prej autorëve.

Sa i takon pistës tjetër, asaj të gjakmarrjes, policia shton se ajo është kryesorja, por ende nuk ka shoqëruar të dyshuar konkretë që janë anëtarë të familjes tjetër. / Gazeta Si