Vrasja mafioze e “Tolit” në Lezhë, policia shoqëron disa persona, krimi ende pa autor

Një ditë pas vrasjes mafioze të Nikolin Lekstakajt (Tolit), Policia e Lezhës njofton se ka shoqëruar dhe marrë në pyetje pesë persona, të cilët dyshohet se mund të kenë informacione mbi ngjarjen e rëndë.

Por ende uniformat blu nuk kanë asnjë të dyshuar, ndërsa pista kryesore e hetimeve është gjakmarrja. Po ashtu, policia ende nuk ka arritur që të identifikojë mjetin e përdorur nga autorët.

Hetuesit e grupit hetimor kanë sekuestruar dhe po analizojnë kamerat e sigurisë së bizneseve, të cilët mendohet të kenë filmuar lëvizjet e autorëve.

Ekzekutimi duket se ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në 19 prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin, vrasje për të cilën u arrestuan disa shtetas, mes tyre dhe të huaj.

Vrasja e biznesmenit Nikulaj u porosit nga Elton Lekstakaj i cili jeton në Britani.

Si nisi konflikti 27 vite më parë

Konflikti mes dy familjeve, Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur prej 27 vitesh. Në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës ka mbetur i vrarë vëllai i Ardian Nikulajt. Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Nikulaj, Pëllumb Nikulaj, bashkë me Fran Qulajn, punonin në një pikë karburanti. Një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj ka shkuar për të furnizuar makinën aty dhe në një moment punonjësit kanë nisur të debatojnë debatuar me drejtuesin. Debati ka ndodhur me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit, 5 mijë lekë të vjetra.

Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre është rikthyer i armatosur disa minuta më vonë duke qëlluar në drejtim të karburantit. Nga të shtënat mbeti i vrarë edhe vëllai i Ardian Nikulajt, Pëllumbi dhe kolegu tij Fran Qulaj. Pak muaj pas kësaj ngjarje, më 29 shtator të vitit 1997, në Balldre të Lezhës u vranë Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja, konkretisht dajë e nip. Ndërsa më 30 mars të vitit 1999, është vrarë shtetasi Gjovalin Lekstakaj dhe është plagosur Pjetër Lekstakaj.

Dëshmitar i ngjarjeve ka qenë, Klodian Lekstakaj, djali i njërit prej viktimave, Gjovalin Lekstakajt. Klodiani është larguar drejt Anglisë dhe nga atje ka nisur një letërkëmbim me institucionet ligjzbatuese shqitare, duke kërkuar që të përfitojë statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Status që i është mohuar. Më 26 maj të vitit 2016, në adresë të Klodian Lekstakajt është nisur një përgjigje nga ana e Prokurorisë së Lezhës. Në të thuhej se ai nuk mund ta përfitonte mbrojtjen e posaçme por nëse kthehej në Shqipëri për të dëshmuar në mënyrë vullnetare dhe nëse atij i rrezikohej jeta nga vrasësit e familjes së tij, atëherë ngarkohej drejtori i Policisë së Shtetit me detyrën kushtetuese për t’i mbrojtur jetën.

Kryeprokurori i Lezhës në atë kohë, saktësonte se kishte biseduar me Policinë e Lezhës për faktin se nëse dëshmitari okular i dy vrasjeve kthehej për të dëshmuar në Lezhë, ata do ta mbronin. Por sipas Prokurorisë, Klodian Lekstakaj duhej të kthehej në Shqipëri.

Në shkresën që i është vënë në dispozicion Klodian Lekstakajt, si person që kërkon mbrojtjen e shtetit shqiptar, ka pasur disa gabime që e quanin atë djalin e të plagosurit Pjetër Lekstakaj, kur në fakt ai është djali i viktimës, Gjovalin Lekstakajt.

Klodian Lekstakaj: “Unë i paraqitem çdo lloj prokurorie në Shqipëri dhe në botë për çështjen e familjes time dhe për deklaratat e mia që kam dhanë në 1997-n dhe që po kërkoj rihapjen në 2015-ën.

Unë kërkoj nga institucionet shqiptare që ata persona që më kanë vrarë pjesëtarët e familjes, të dalin para drejtësie. Unë jam ankuar dhe paraqitur në ambasadën shqiptare në Londër dhe nga aty kam nisur të gjitha letrat. Më vonë u fol shumë për ekstradimin e xhaxhait tim, Pjetër Lekstakaj, si person i shumëkërkuar. Po ai arriti t’i shpëtojë ekstradimit në vitin 2007. Ju bëj thirrje të gjitha mediave shqiptare të publikojnë historinë e familjes time sepse kam tre pjesëtarë të familjes të vdekur dhe një të gjymtuar”.

Prokurori deklaroi të atë kohë zyrtarisht se hetimet ishin mbyllur pasi nuk ishin gjetur autorët. Në shkresën zyrtare bënte me dije se në dëshminë që ka dhënë Klodian Lekstakaj kur ishte vetëm 13 vjeç dhe ka qenë në arë me xhaxhain e tij, Gëzimin, dhe nipin e shtëpisë, Laurenin, ata janë vrarë para syve të tij. Por sipas prokurorit, Klodiani është pyetur por nuk ka përmendur asnjë emër, pasi nuk mbante mend.

Klodian Lekstakaj: “Xhaxhai im, Pjetër Lekstakaj, që ishte plagosur në atë ngjarje u dënua me 12 vjet burg. Në vitin 2004 më dënojnë djalin e xhaxhait, Elton Lekstakajn, me 25 vjet burg. Prapë persekutimi i drejtësisë shqiptare. Në 2007-ën ish-ministri i drejtësisë, së asaj kohe, me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me një avokat, çuan kërkesën për ekstradimin nga Londra të Pjetër dhe Elton Lekstakajt”.

Ndërkohë, Klodian Lekstakaj, në vitin 2016, pasi iu mohua statusi, ka dhënë në media një dëshmi për këtë ngjarje. Klodian Lekstakaj: “Me fisin e Nikulaj ka shumë vite që kemi pasë probleme, por në vitin 1997 përfundoi me armë, pasi dikush i Nikulajve ka ardhur tek xhaxhai i babait tim me automatik në dorë dhe i ka thanë: Po nuk erdhi Gjergji deri në orën 8 të darkës te benzinata e Fran Qulajt, unë e vras! Pjesëtarët e fisit tim kanë shkuar aty. Kurse me fisin e Fran Qulajt nuk kemi pasë lidhje me ta kurrë. Por pjesëtarët e fisit tim kanë shkuar aty se Pëllumb Nikulaj kishte lanë fjalë për t’u taku.

Kur kushërinjtë kanë shkuar të benzinata, kanë gjetur Fran Qulajn dhe Mark Lekstakajn duke folur me ta për punë 5 mijë lekë naftë (5 mijë lekë të vjetra), por në atë moment ka ardhur Pëllumb Nikulaj me automatik në drejtimin e tyre. Janë gjuajtur më armë. Aty ka mbetur i vramë Fran Qulaj dhe Pëllumb Nikulaj, ndërsa Mark Lekstakaj, ka mbetur i plagosun. Në atë ngjarje kemi hyrë në gjak 3 fise, Lekstakaj, Qulaj dhe Nikulaj.

Pjetër Lekstakaj ka 3 vetë të vdekur dhe ai është i plagosur, por ish-ministri i drejtësisë kërkonte me këmbëngulje që të persekutonte Pjetër Lekstakajn. Kemi 18 vjet që merremi me këtë ngjarje dhe të gjitha institucionet e dinë këtë ngjarje që nuk është e mbyllur. Dhe unë kërkoj që personat që më kanë vrarë pjesëtarët e familjes time të dalin para drejtësisë”.

Klodian Lekstakaj kërkonte nga prokuroria njohjen me atë material shkresor ku ai ka dhënë dëshminë e tij në kohën kur u vranë dajë e nip dhe ai u largua me vrap nga ara, duke i kërkuar besë për jetën një burri të zones.

Në refuzimin për statusin e dëshmitarit të mbrojtur, Prokuroria e Lezhës shprehej se, në bazë të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, organi i prokurorisë investohet për marrjen e masave mbrojtëse dhe futjen në programin e mbrojtjes të personave që ndjehen të kërcënuar, vetëm për rastet kur plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në këtë ligj. Ligji i sipërpërmendur rregullon marrjen në mbrojtje të personave që janë dëshmitarë apo bashkëpunëtorë të drejtësisë në një procedim penal të filluar nga prokuroria për vepra penale për të cilat neni përkatës i Kodit Penal parashikon dënim me burgim në minimum jo më pak se 4 vjet. Në bazë të ligjit të sipërcituar që një dëshmitar të futet në programin e mbrojtjes ndër të tjera duhet të plotësohen disa kushte:

1-Dëshmitari duhet të pranojë më vullnet të lirë të bashkëpunojë me prokurorinë dhe Gjykatën.

2-Të dhënat që dëshmitari jep në dëshminë e tij pa kushte dhe rezerva të përbëjnë provë vendimtare për zbulimin, hetimin dhe gjykimin e krimeve dhe të autorësisë së tyre.

3-Dëshmitari për shkak të dëshmisë së dhënë ndodhet në gjendje rreziku aktual, konkret dhe serioz për jetën.

Prokuroria shprehej se në rastin konkret nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë, pasi në hetimin e procedimit penal nr. 150 të vitit 1997 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Lezhë, dhe që ka të bëjë me vrasjen e shtetasve Gëzim Ded Lekstakaj dhe Lauren Ndoc Gjetja ku ai (i referohet Klodian Lekstakajt) jeni pyetur si person që tregon rrethana të hetimit, në deklaratën e tij nuk ka dhënë ndonjë të dhënë që përbën provë vendimtare për zbulimin dhe dënimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur. Në mungesë të kushteve të parashikuara në ligj, nuk mund të propozohej pranimi i tij në programin e mbrojtjes.

Në qoftë se ai dispononte të dhëna apo prova të reja që hedhin dritë dhe shërbejnë për të provuar akuzat ndaj autorëve të vrasjes së të afërmve të tij, Gëzim Lekstakaj, Lauren Gjetja, Gjovalin Lekstakaj dhe plagosjes së Pjetër Lekstakaj, mund t’i paraqiste ato në çdo kohë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë dhe pranë Drejtorisë së Policisë së Lezhës, me drejtuesit e së cilës është biseduar nga ana jonë për të marrë të gjitha masat për sigurinë e tij në rast se do kthehej në Shqipëri për të dhënë dëshminë e tij. “Drejtori i Policisë së Shtetit ka për detyrë kushtetuese ta mbrojë atë”.

Gjithashtu, Prokuroria shprehej se në kushtet kur ndaj tij nuk mund të aplikohen masat e posaçme të mbrojtjes të parashikuara nga Ligji ‘Për mbrojtjen ë dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” në vlerësim të shqetësimit të paraqitur prej tij, i sugjeronte t`i drejtohej Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Policisë së Lezhës duke kërkuar mbrojtje prej tyre që në zbatim të detyrave kushtetuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në përputhje me detyrimet që parashikon ligji, “Për Policinë e Shtetit” të merreshin të gjitha masat për mbrojtjen e jetës së tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij. Kështu mbyllet një prej përgjigjeve zyrtare institucionale që është nisur në drejtim të shtetit britanik ku banojnë edhe djemtë e familjes Lekstakaj.