KLGJ përfundon në “gjyq”

Një operator ekonomik ka ngritur 16 ankesa zyrtare kundër tenderit 1.3 milionë euro të shpallur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për blerjen e pajisjeve elektronike. Kompania CSP ka ankimuar kërkesat dhe kriteret e vendosura në dokumentat e tenderit pranë Komisionit të Prokurimeve Publike si në kundërshtim me ligjin.

Sipas ankesës së CSP, kriteret e vendosura nuk ka asnjë bazë ligjore apo logjike dhe kufizojnë konkurrencën në tender.

Tenderi me fond limit 144.1 milionë lekë u shpall nga KLGJ një javë më parë. Ai është parashikuar të zhvillohet në datën 29 shtator. Por procedura është ankimuar dhe kompania kërkon nga Komisioni i Prokurimit Publik të urdhërojë KLGJ-në që të modifikojë dokumentat e tenderit.

Hera e dytë në pak kohë

Kjo është hera e dytë në pak kohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor akuzohet për kritere diskriminuese në tenderat që zhvillon. Hera e parë ishte në qershor kur KLGJ shpalli tendering 3.4 milionë euro për blerjen e pajisjeve të sigurisë për gjykatat e vendit. Atëherë madje akuzat ishin edhe më të rënda.

Kompania Advanced Business Solution e akuzoi drejtëpërdrejtë Këshillin e Lartë Gjyqësor për paracaktim të fituesit bazuar në kriteret që kishte vendosur.

“Një lapsus i tillë, kaq i rëndë i Autoritetit Kontraktor mund të shpjegohet me hipotezën e ndërtimit të kritereve të kualifikimit që të favorizojnë një operator të caktuar,” thotë Advanced Business Solutions në ankesën e saj drejtuar Komisionit të Prokurimeve Publike.

Pas kësaj akuze, KLGJ u detyrua të anullonte tendering e majmë prej 3.4 milionë euro me justifikimin se i kishte hartuar gabim dokumentat e tenderit.


Shtuar 8.09.2023 22:13