Që ta fitojë luftën Ukraina duhet të pajiset me raketa me rreze të gjatë

Nga William Hague “Sunday Times

Një nga gjërat e sigurta mbi Vladimir Putinin është se atij i pëlqen të shfaqet në publik. Në kalendarë, në parada apo duke folur me orë të tëra. Ai e cilëson të domosdoshme të jetë përherë në qendër të vëmendjes. Prandaj, duhet të ketë ndodhur diçka serioze që ai të detyrohet të anulojë një nga rastet e tij kryesore për t’u dukur.

As konferenca e tij tradicionale për shtyp para Krishtlindjeve, shpeshherë mbi 4 orë e gjatë, dhe as ndeshja e tij fundvitit në hokejin mbi akull, të cilën ai e fiton gjithnjë, nuk do të zhvillohen këtë vit. Mungesa e shfaqjeve të tilla të muskulaturës së tij politike dhe fizike, ka shtuar interesin për raportet mediatike se ai nuk është mirë me shëndet apo se po përgatit arratisjen për në Amerikën e Jugut.

Ndërsa të dyja këto zëra mund të jenë të vërteta, ai më duket gjithsesi një njeri që është ende i vendosur ta fitojë luftën e tij. Edhe pse mund të jetë i fiksuar pas një ideje absurde, imoral, i korruptuar dhe i pavëmendshëm ndaj humbjes së qindra mijëra jetëve njerëzore nga të dyja anët, ai po tregon çdo shenjë se mbetet një lider racional dhe se ka në mendje një plan, raporton albeu.com.

Prandaj nëse nuk do që të Putin ta fitojë këtë luftë, Perëndimit duhet që të forcojë me shpejtësi kundërpërgjigjen e tij. Ka arsye të forta të besohet se që nga muaji tetor, Putini ka qenë i informuar më mirë mbi vështirësitë e mëdha me të cilat përballen forcat e tij, dhe më realist mbi situatën ushtarake në të cilën Ukraina ka luftuar vazhdimisht kundër rusëve dhe ka vrarë dhjetëra mijëra pushtues.

Kur emëroi gjeneralin e pamëshirshëm Sergey Surovikin si komandant të përgjithshëm të operacionit, dhe kur thirri nën armë qindra mijëra rezervistë, Putin e kuptoi se i nevojitej një strategji e re dhe më shumë burime për ta shkatërruar Ukrainën.

Më e rëndësishmja, ai u përgatit të sakrifikonte avantazhin afatshkurtër për të fituar një pozicion më të qëndrueshëm në një periudhë afatgjatë, dhe kjo po shihet më së miri në tërheqjen e rregullt të trupave ruse nga Kherson për të mbrojtur bregun e majtë të lumit Dnipro.

Edhe heqja dorë nga konferenca vjetore për mediat, duhet të shihet si e ngjashme me atë tërheqje. Pra tërhiqu tani për të mbledhur forca të reja. Ne mund të shohim strategjinë e re të Putinit tek veprimet e tij të fundit: Ruajtje e sulmit në Donetsk për të mbajtur të angazhuara forcat ukrainase, mbajtjen gjallë të kërcënimit të hyrjes së Bjellorusisë në luftë si aleate e Rusisë dhe përdorim i dronëve iranianë për të shkatërruar rrjetin elektrik dhe furnizimin me ujë të qyteteve të Ukrainës, teksa po mobilizon fuqinë punëtore dhe përshtat fabrikat për të treguar se Rusia ka fuqinë e duhur për të fituar.

Ai shpreson se përballë një lufte kaq të gjatë, vendet perëndimore do të tregojnë paqëndrueshmërinë e tyre, do të humbasin zemrën dhe unitetin, dhe në fund do ta përqafojnë paqen sipas kushteve të tij, gjë e cila do t’i jepte atij mundësinë të rigrupojë plotësisht trupat ruse dhe të planifikojë asgjësimin përfundimtar të Ukrainës.

Përballë kësaj strategjie, mënyra më e keqe e veprimit për kryeqytetet perëndimore, është t’i ofrojnë Putinit çdo lloj prove se llogaritjet e tij mund të jenë të sakta. Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, gaboi që e telefonoi Putinin në fillim të këtij muaji, por edhe presidenti Macron gaboi kur tha se së shpejti do të zhvillojë sërish një bisede telefonike me Putinin.

Edhe pse këta liderë bëjnë deklaratat e duhura gjatë telefonatave të tilla, Putini është një njeri që e “nuhat” aromën e dobësisë edhe nga përtej receptorit. Kur Macron thotë se Rusia nuk duhet të poshtërohet, Putin kupton mungesën e vullnetit për ta mposhtur atë.

Sigurisht, do të ishte mirë të gjendej një zgjidhje paqësore për këtë konflikt shkatërrues. Por nuk ka asnjë shenjë se Putini është i interesuar për një paqe, e cila do të ishte në përputhje me sigurinë dhe stabilitetin e ardhshëm të Ukrainës. Sigurisht, duhet të ketë kanale komunikimi midis Perëndimit dhe Rusisë.

Në fakt, duhet të ketë më shumë prej tyre, duke i transmetuar Moskës një mesazh të qartë të vendosmërisë. Hapat e mëtejshëm për të bërë të mundur arritjen e paqes në kohën e duhur, do të përfshijnë krijimin e institucioneve financiare dhe politike që do të nevojiten për të financuar rindërtimin e Ukrainës; ndoshta një agjenci ndërkombëtare e drejtuar nga një figurë e njohur nga SHBA-ja.

Dhe vendet perëndimore mund të bien dakord për një marrëveshje të ardhshme sigurie me Kievin, duke përcaktuar se si pas luftës, do të siguroheshin që Ukraina të mund të mbrohej më me vendosmëri. Përgatitje dhe kanale të tilla diplomatike mund t’i ndihmojnë ukrainasit të bëjnë paqe kur të vijë më në fund koha për këtë.

Por ajo kohë nuk është tani. Putin po planifikon ta përshkallëzojë luftën, jo me mjetet bërthamore që mund t’i sjellin katastrofës, por me taktika asimetrike – duke shkatërruar shërbimet thelbësore – të cilave Ukraina nuk mund t’i kundërpërgjigjet dhe Perëndimi nuk guxon ta bëjë këtë.

Prandaj, do të ishte një gabim tjetër kufizimi i reagimit ndaj këtyre sulmeve vetëm në masa mbrojtëse. Gjeneratorë dhe mbrojtje kundërajrore po dërgohen në Ukrainë nga shumë vende. Por kjo është vetëm mbrojtja e vijës të frontit. Ndërkohë Putinit duhet t’i tregohet se do të ketë një përgjigje ndaj sulmeve të tij brutale ndaj civilëve.

Prandaj ka ardhur koha që vendet perëndimore të dërgojnë në Ukrainë raketat ATACMS, me një rreze veprimi prej 305 miljesh, duke i dhënë mundësi ushtrisë ukrainase të godasë bazat ruse në të gjithë territorin e pushtuar, përfshirë Krimenë.

Raketa të tilla me rreze të gjatë zotërohen nga disa vende, dhe jo vetëm Shtetet e Bashkuara, dhe mund të lëshohen nga raketahedhëset që janë tashmë në përdorim. Këto lloj raketash mund të kenë një ndikim thelbësor në rrjedhën e luftës, duke sabotuar çdo lloj ofensive të re të planifikuar nga Moska dhe duke i treguar asaj se përshkallëzimi i Putinit e ka një kosto.

A mund ta përballojë Perëndimi këtë gjë? E vërteta e thjeshtë është se kostoja e frenimit të një Putini fitimtar për një kohë të pacaktuar, do të jetë shumë më e madhe se sa kostoja e ofrimit të ndihmës më të madhe për ukrainasit tani. Kjo është krejt ndryshe nga kauza morale e ndihmës së një populli të lirë që mbrohet kundër një agresori të lig që kryen krime kundër njerëzimit. Ekonomitë e G7 janë 25 herë më të mëdha se sa ekonomia ruse. Ata duhet të angazhohen mjaftueshëm në mënyrë që Putini të mos ketë sukses.

/albeu.com


Shtuar 21.12.2022 08:40