Mori 2 mijë euro ryshfet, GJKKO jep vendimi për punonjësin e policisë

Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ka marrë ditën e sotme vendimin për policin i cili mori 2 mijë euro ryshfet gjatë orarit të punës.

Polici Levzat Veselaj u dënua me 3 vjet burgim për kryerjn e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Veselaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 5 vitesh.

Vendimi:

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 01.07.2022, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është shpallur vendimi lidhur me çështjen penale në ngarkim të të pandehurve L.V. dhe E.R., ku trupi gjykues i përbërë nga gjyqtare Atalanta Zeqiraj, vendosi:

1. Deklarim fajtor të të pandehurit L.V. për kryerjn e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
2. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin L.V. duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
3. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.V. fillon nga dita e ndalimit dhe do kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
4. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal të pandehurit L.V. i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohe prej 5 (pesë) vjetësh.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit E.R. për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
6. Në bazë të nenit 406 të K.Pr.Penale ulet 1/3 e dënimit me burgim për të pandehurin E.R. duke u dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.
7. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim për të pandehurin E.R., duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhë kohe prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës./albeu.com