A do të lirohet Zani Çaushi? Hoxha: Një dorë e fshehtë po përpiqet që të ndezë zjarrin

Gazetari Artan Hoxha i ftuar në studion e Abc News, këtë të enjte ka komentuar kërkesën e Myrteza Çaushit, (Zani Çaushi), për lirimin me kusht.

Sipas Hoxhës Çaushi që njihet ndryshe si kreu i bandës së Çoles, ka qenë i dënuar dy herë, njëherë për krimet e bëra në 97’ dhe në shtator të 99’ është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave.

Hoxha ndër të tjera ka theksuar se tashmë dënimet e Çaushit janë të bashkuar në një dhe pritet seanca e 17 korrikut për të mësuar se çfarë do të ndodhë me fatin e tij.

“Myrteza Çaushi i njohur si Zani Çaushi i cili ka kërkuar lirimin me kusht. Çaushi është një emër i ngelur nga 97′, një emër i rëndësishëm në atë kohë. Vitin e kaluar ai ka shkuar në gjykatë dhe ka kërkuar që ti llogaritet dhe koha e paraburgimit.

Në 28 shtator të 97′, ai është arrestuar për ngjarjet e vitit 1997, për bandë të armatosur, për vepra penale të kryera në kuadër të bandës, vrasje, rrëmbim personi. Për këto është arrestuar dhe ka qëndruar në burg deri në mars të 99′ dhe kur u dha gjykimi në Tiranë, ndryshe nga kërkesa e prokurorit e ka nxjerrë të pafajshëm për të gjithë akuzat e tjera dhe e dënoi vetëm për armëmbajtje për leje.

Dhe në 99′ është liruar, në shtator po të atij viti është arrestuar sërish, pasi u përfshi në një vrasje që u dënua me burgim të përjetshëm, ku janë vrarë dy persona. Aty e ka kauzën për vrasje të dy personave dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë kohës së dënimit, gjykata kthen sërish gjykimin dhe rifilloi gjykimin për ngjarjen e 97 edhe pse një pjesë e madhe e anëtarëve të bandës së tij janë të vrarë dhe për ngjarjet u dënua me 18 vite burg për ngjarjet në vitin 97.

Vitin e kaluar ai është paraqitur në gjykatë dhe gjykata tashmë po mbledh kush bos i krimit ka lekë dhe po e nxjerr jashtë dhe sot ai ka probleme me hasmin jo me shtetin.

Gjykata ka pranuar që të bashkojë dy dënimet në kuadër të kodit të vjetër penal dhe ka pranuar që ai të ketë vetëm një dënim dhe i është dhënë mundësi që të kërkojë lirinë me kushte. Kjo është seanca e tretë dhe nëse ndodh dalja e Zanit, i cili nuk ka qenë një personazh i thjeshtë në Vlorë por ka qenë një personazh politik, lirimi i tij krijon një tjetër problematikë, dhe do të zhvillohet një luftë e madhe për ta marrë nën kontroll”, ka thënë Hoxha.

Ndërkohë ai ka theksuar se në vendin tonë ajo që ndodh është se ato që kanë para kanë mundësi që të blejnë lirinë e tyre.

Ndërsa për rastin e Zani Çaushit, ai thekson se nuk është një rast i tillë pasi banda e tij dhe familja janë shpartalluar nga kundërshtarët dhe sipas gazetarit është mister fakti se kush fshihet pas një ngjarje të tillë.

“Nga burgu kanë dalë të gjithë ato që kanë lekë, pasi grupi që kanë jashtë ka bërë lekë dhe kanë blerë gjykatësit. Por në këtë rast nuk kemi një gjë të tillë pasi banda dhe familja e Çaushit është shpartalluar. Për mua përgjegjës në këtë ngjarje është një dorë e fshehtë që po përpiqet që të ndezë zjarrin. Ai që po e nxjerr e ka marrë masën se për çfarë po e nxjerr, pasi me atë që ai ka bërë ai jashtë e ka të pamundur që të jetojë i lirë”, ka thënë gazetari. /abcnews.al


Shtuar 16.07.2020 16:07