Puthjet në buzë mashkull me mashkull dhe gafat e pabesueshme të komunizmit

Pamjet filmike që vijnë nga vitet e largëta të periudhës komuniste të Shqipërisë vijojnë të zgjojnë kureshtjen e shqiptarëve.

Si ishim 40-50 apo 80 vite më parë?

Pse për të përcjellë e pritur drejtuesit e shtetit në udhëtimet e tyre jashtë vendit duhet të lihej puna apo shkolla dhe gjithë populli të rreshtohej dhe duartrokiste?

Pse populli shfaqej gjithmonë si një turmë e komanduar e ngjashme me bagëtinë?

Në fakt komunizmi shqiptar është plot me histori që tashmë na duken krejt të pabesueshme.

Por le të sjellim dhe mundohemi të shpjegojmë disa nga më pikantet prej tyre.

Qysh në fillim të filmimeve të vjetra, sidomos pas lidhjes së ngushtë më Bashkimin Sovjetik të Josif Stalinit, bie shumë në sy se drejtuesit e shtetit, ata të Partisë Komuniste, deri edhe populli i thjeshtë, përqafoheshin e putheshin sikur të ndaheshin apo takoheshin me njerëzit e tyre më të afërt.

Madje kishte raste puthjesh flagrante mashkull me mashkull.

E famshme do të bëhej sidomos fotografia që paraqet një puthje në buzë mes dy partizanëve shqiptarë, të zbritur nga malet si fitues në vitin 1944.

Po përse një sjellje e tillë? Ishte kjo një traditë shqiptare, apo diçka e importuar?

Në fakt, nga një hulumtim i përciptë rezulton se puthjet në buzë e kanë një lidhje me luftën.

Ka një numër të madh fotosh ku janë fiksuar puthjet e ushtarëve amerikanë, që shkojnë në front, me të dashurat apo bashkëshortet. Disa janë krejt emblematike.

Por mes ushtarëve amerikanë apo edhe të Europës Perëndimore, puthje në buzë mes meshkujsh nuk gjen, dhe gjithçka duket si një trend që vjen nga Lindja Komuniste.

Kështu për shembull, në Bashkimin Sovjetik u printua një poster që paraqet një ushtar duke puthur në buzë një civil. Propaganda e kohës tentonte të tregonte lidhjen e fortë të ushtrisë me popullin gjatë Luftës së Dytë Botërore, të njohur edhe si Lufta e Madhe Patriotike.

Po kështu, nga Lufta e Dytë na ka mbërritur edhe një foto interesante (viti 1945) që tregon një oficer sovjetik duke afruar pas vetes dhe puthur në buzë, një oficer amerikan.

Por edhe vetë Stalini është fotografuar, madje edhe filmuar, duke puthur në buzë bashkëpunëtorët e vet të ngushtë.

Historia vazhdon me puthjen publike të Sekretarit të Parë të Partisë Bolshevike, Leonid Brezhniev, me homologun e Gjermanisë Lindore, Erih Honeker – një gjest deklarativ që edhe sot sillet në formate karikaturash që fshikullojnë pasojat shkatërruese të komunizmit.

Por, thënë të vërtetën, në këtë histori ka edhe diçka që ka pasur lidhje me Ballkanin.

Këtë e vërtetojnë disa gazeta të vjetra greke, të vitit 1911, gjatë luftës për çlirimin e ishullit të Kretës, që paraqet dy luftëtarë helenë duke u puthur në buzë.

Në këtë rast grafika shërben për ti treguar popullit se dëshira për fitore në beteja i bënte luftëtarët vëllezër e shkuar vëllezërve.

Duket kjo dashuri mashkullore e lindur maleve i shoqëroi edhe krerët e komunistëve shqiptarë në kohë paqeje.

Pra, ka shumë të ngjarë që, më tepër se sa e importuar nga sllavët e lindjes, fenomeni i puthjeve flagrante mes meshkujve të ketë lidhje me dashurinë e ndërsjellë që dikur formohej në rrethanat ekstreme të përballimit të betejave.

Përndryshe këto skena të ngrohta përqafimesh e puthjesh me rrufisje mes krerëve komunistë shqiptarë nuk ka se si të shpjegohen.

Në fakt periudha historike e komunizmit në Shqipëri është përplot me histori të pabesueshme./Abcnews.al/