Çfarë është salmonella që u shfaq te çokollatat “Kinder”

Qindra raste të infektimit me salmonellë janë raportuar në Evropë, ndërsa dyshohet se shkaktarë janë produktet e çokollatave për fëmijë “Kinder”. Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia e Suedia kanë raportuar raste. Shumica e të prekurve janë nën moshën dhjetëvjeçare, siç kanë njoftuar autoritetet e BE-së.

Infeksioni nga salmonella është një sëmundje e zakonshme bakteriale që prek zorrët e tretjes. Bakteret e salmonellës zakonisht janë në zorrët e njeriut dhe dalin përmes jashtëqitjes. Njerëzit infektohen më shpesh përmes ujit, ushqimit të kontaminuar, ngrënies së mishit, shpendëve, vezëve, dhe si raste të rralla konsiderohen ato të infeksionit nga çokollata.

Disa prej të infektuarve me salmonellë nuk kanë simptoma. Të tjerë kanë diarre, ethe dhe dhimbje barku brenda tetë deri në 72 orë. Shumica e njerëzve të shëndetshëm shërohen brenda pak ditësh pa trajtim specifik.

Në disa raste, diarreja e lidhur me infeksionin e salmonellës mund të jetë aq dehidruese sa të kërkojë kujdes të menjëhershëm mjekësor. Komplikime kërcënuese për jetën gjithashtu mund të zhvillohen nëse infeksioni përhapet përtej zorrëve. Rreziku për t’u infektuar me salmonellë është më i lartë nëse udhëtoni në vende me kanalizime të dobëta.

Shumica e infeksioneve të salmonellës mund të klasifikohen si gripi i stomakut (gastroenterit).

Shenjat dhe simptomat e mundshme përfshijnë të vjella, ngërçet e barkut, diarreja, ethe, të dridhura, dhimbje koke dhe gjak në jashtëqitje.

Shenjat dhe simptomat e infeksionit të salmonellës në përgjithësi zgjasin dy deri në shtatë ditë. Diarreja mund të zgjasë deri në 10 ditë, megjithëse mund të duhen disa muaj para se zorrët të kthehen në normalitet.

Disa lloje të baktereve të salmonellës rezultojnë në ethe tifoide, një sëmundje ndonjëherë vdekjeprurëse që është më e zakonshme në vendet në zhvillim.

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e infeksionit nga salmonella përfshijnë aktivitete që mund t’ju sjellin në kontakt më të ngushtë me bakteret e salmonellës dhe problemet shëndetësore që mund të dobësojnë rezistencën tuaj ndaj infeksionit në përgjithësi.

Infeksioni i salmonellës zakonisht nuk është kërcënues për jetën. Megjithatë, në disa njerëz – veçanërisht foshnjat dhe fëmijët e vegjël, marrësit e transplantit, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar – zhvillimi i komplikimeve mund të jetë i rrezikshëm.