Maqedonia e Veriut voton në kuvend për propozimin francez, çfarë pritet të sjellë në rrugën drejt BE-së

Ditën e sotme pritet të mbahet seanca në kuvendin e Maqedonisë së Veriut ku do të votohet pro ose kundër propozimit francez sa i takon anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nga vendimi që pritet të merret ditën e sotme varet edhe përparimi i Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Seanca do të nis në orën 13:30 dhe deputetët do të debatojnë për informacionin mbi përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese për fillimin e negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, të propozuar nga ana e Francës, vend që deri në datë 30 qershor ka mbajtur kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian.

Sa u përket qëndrimeve të bëra publike, qeveria është pro miratimit të propozimit francez pasi sipas tyre i hap rrugë integrimit të vendit. Ndërsa opozita maqedonase e ka kundërshtuar haptaz propozimin duke argumentuar se mos-publikimi i plotë i propozimit ngrinte dyshime mbi atë se çfarë përmbante.

Kjo ka sjellë edhe protesta të dhunshme në Shkup ku mijëra qytetarë u përplasën me policinë dhe sulmuan institucionet kryesore të vendit në shenjë revolte./albeu.com