Situata në veri, Kremilini: Rusia mbështet serbët e Kosovës, të respektohen të drejtat e tyre

“Rusia mbështet popullatën serbe të Kosovës dhe beson se të drejtat dhe interesat e tyre ligjore duhet të mbrohen”, kjo është deklarata e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, në lidhje me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Peskov thotë se Moska po ndjek me shqetësim trazirat në Kosovë, të cilat janë rritur ndjeshëm që kur kryebarët shqiptarë morën detyrën në zonën veriore me shumicë serbe të vendit pas votimeve muajin e kaluar.

“Ne e mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët… Ne besojmë se duhet të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”, tha Peskov në adresimin e përditshëm për media, duke shtuar se nuk duhet të ketë vend për “veprime provokuese”.

Të hënën, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë “është alarmante” dhe se mund të provokojë “një tjetër konflikt në qendër të Evropës”.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Deri më tani 30 ushtarë të KFOR-it janë lënduar gjatë protetsatve në veri.

Si pasojë e tensioneve SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë dhe do të vendosë një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë. Kjo, pasi trazirat në vend u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe në zonën veriore./albeu.com/