“Besa, Besë” jep efektet e para, bizneset dhe restorantet në Kosovë bojkotojnë produktet serbe

Fushata “Mos bli produkte serbe – Besa, besë”, ka filluar të jepe efektet e para në Kosovë. Tashmë shumë biznese dhe restorante kanë bojkotuar produktet e Serbisë. Megjithatë, vetëm në janar të këtij viti, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej 17 milionë e 870 mijë.

Tashmë 13 pika të shitjes me pakicë në Kosovë dhe shtatë lokale të restoranteve nuk shesin produkte me origjinë nga Serbia.

Kështu thuhet në njoftimin e grupit “Mos bli prodhime serbe” që drejton fushatën “Besa, Besë”.

“Janë 13 pika të shitjes me pakicë me zero produkte serbe në Kosovë, ndërsa një pikë në Shqipëri. Po ashtu, janë 7 restorante që nuk e ofrojnë prodhime nga Serbia”.

Sipas afaristit Burim Piraj, kjo kampanjë ka ngritur vetëdijen e qytetarëve.

“Kjo është pasqyra e vetëdijesimit të popullit tonë! Zoti ju bekoftë!”, shkruan Piraj në përshkrimin e publikimit.

Po ashtu, aty thuhet se para nisjes së kësaj kampanje, më 24 shtator 2022, kishte ekzistuar vetëm një pikë që nuk kishte ofruar prodhime me origjinë nga Serbia.

“Besa, Besë” mori hov pas barrikadave të vendosura në komunat veriore të Kosovës.

Aktive në rrjetin social Facebook, kjo iniciativë tashmë ka gjetur përkrahjen e shumë bizneseve, që kanë larguar produktet serbe.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.4 për qind në muajin janar 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 291.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 273.8 milionë eurosh në vitin 2022.

Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti mbulon importin me vetëm 17.6 për qind.

Importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar të këtij viti arritën në 54.4 milionë euro, ose 15.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 5.1 për qind, Shqipëria 4.6 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 4.4 për qind.

Duket se fushata e muajve të fundit në vend për bojkotimin e produkteve serbe nuk dha rezultate në rënien e importit të mallrave nga Serbia.

Në janarin e këtij viti, importi nga Serbia ka shënuar rritje në raport me muajin janar të vitit 2022.

Vetëm në janar të këtij viti, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë prej 17 milionë e 870 mijë euro apo 1 milion e 523 mijë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Importi nga Serbia në janarin e vitit 2022 ishte 16.347 euro, ndërsa në janar të këtij viti vlera e importit të mallrave 17.870”, thuhet në raportin e ASK-së

Gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra në vlerë 371.6 milionë euro nga Serbia. Në vitin 2021, Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë eurosh.

Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia.

Një vit më pas, importet shkuan në 173.4 milionë euro, kurse në vitin 2021, Kosova importoi nga Serbia mallra në vlerë 305.4 milionë euro./monitor