Moti i keq godet sërish Italinë, mbyllen shkollat, disa banorë të evakuuar

Italia është goditur sërish nga moti i keq gjatë orëve të fundit.

Pas përmbytjeve shkatërruese që përfshinën zonën e Emilia Romagnës, moti i keq ka goditur veçanërisht  zonën e Macerata-s.

Në orët e vona të pasdites reshjet e dendura të shiut që zgjatën rreth tre orë shkaktuan përmbytje të rrugëve, garazheve dhe bodrumeve por edhe rënien e pemëve.

Rrugë dhe garazhe të përmbytura, rrëshqitje dheu, pemë të rrëzuara, shqetësim sidomos në Macerata, Pollenza dhe Tolentino, shkruan Ansa.

Situata paraqitet veçanërisht kritike në fshatrat Villa Potenza dhe Sforzacosta ku ka disa njerëz të evakuuar nga katet e poshtme të ndërtesave.

Në disa raste uji ka kaluar nëpër dhomat e katit përdhes, duke arritur në katin e parë.

“Ndalohet zbritja në garazhet/bodrumet nëntokësore dhe rekomandohet ngjitja në katet e para”. Ky është rekomandimi i bërë në mbrëmje nga Bashkia e Maceratës për qytetarët e fshatrave Villa Potenza dhe Sforzacosta pas ujit që “pushtoi” disa qytete të provincës.

Në një postim të mëparshëm, po në mbrëmje, administrata kishte paralajmëruar qytetarët për situatën kritike: “Për shkak të reshjeve anormale në qytet, për momentin janë të bllokuara disa rrugë. Këshillohet përdorimi i makinës dhe dalja nga shtëpia vetëm në rastet rreptësisht të nevojshme”.

/albeu.com/


Shtuar 6.06.2023 08:51