I rrethuan shtëpinë e i morën 100 mijë euro, biznesmeni i Niklës pjesë e dosjes Shullazi si fajdexhi

Nazmi Çangu, personi që mbeti i dëmtuar në banesën e tij, nga sulmi me armë i disa grabitësve ende të paidentifikuar, rezulton të jetë individ që merret me dhënien e fajdeve në zonën e Fushë-Krujës.

Komuniteti i zonës e njeh si “Nazmi Fajdexhiu” për shkak të dhënies së shumave të parave dhe eurove me fajde, tek persona të ndryshëm.

Nazmi Çangu, njihet për këtë aktivitet të paligjshëm, dhe se emri i tij ka dalë dhe tek dosja e “Shullazit”.

Kjo pasi bashkëpunwtori i prokurorisë në procesin gjyqësor kundër Shullazit dhe 4 personave të tjerë, Ylvi Beqja, ka pasur një marëdhënie fajdeje me Nazim Çangun, ku Beqja i ka marë Çangut një shumë financiare borxh.

Për këtë fakt, Nazmi Çangu, është paraqitur në gjykatë si dëshmitar i të pandehurve, duke pretenduar se Ylvi Beqja i kishte marë sasinë e eurove dhe nuk ja kishte kther më.

Por Nazmi Çangu, është proceduar në vitin 2011 për akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”, vepër penale që më pas është pushuar nga gjykata.

Nazmi Çangu

Aktiviteti i tij në dhënien e fajdeve dyshohet të jetë bërë shkak që personat e armatosur të sulmojnë banesën e tij, mesnatën e djeshme.

Nazmi Çangu së bashku me familjen ka qenë në gjumë, kur personat i ka parë brenda në shtëpinë e tij.

Sipas dëshmisë së Çangut, personat fillimisht u kanë thënë se kërkonin dokumentat si kontratat e huave dhe çertifikatat e pronave që Nazmi Çangu u mban peng personave të ndryshëm që u jep para me fajde.

Autorët kanë marrë dokumentat dhe një sasi parash që dyshohet diku tek 100 mijë euro dhe më pas janë larguar, duke lënë të përgjakur në dhomën e gjumit, Nazmi Çangun.

Ai është dhunuar fizikisht nga tre persona, të cilët e kanë qëlluar me qytën e armës, çarë me kaçavida dhe i kanë prerë me gërshërë njërin nga gishtat e dorës.

E gjithë skena është përjetuar nga bashkëshortja dhe dy fëmijët e Çangut, të cilët grabitësit i kanë mbyllur në një dhomë tjetër të shtëpisë.

Autorët kanë vijuar me dhunën fizike derisa njëri prej tyre ka gjetur çelësin e kasafortës, duke marrë prej andej sasinë e parave dhe të gjithë dokumentacionin.

Shumë pranë me shtëpinë e Çangut, ndodhen dhe banesat e dy vëllezërve të tjerë të tij, por asnjëri prej tyre nuk ka ndjerë diçka të dyshimtë, në mënyrë që ti shkonte në ndihmë të vëllait./oranews


Shtuar 24.10.2021 14:37