SPAK e shpalli në kërkim, reagon Rezart Taçi

Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, pas publikimit të lajmit se ka një urdhër arresti për të mbi akuza për pastrim parash, ka reaguar menjëherë duke i cilësuar ato tërësisht të pabaza dhe të pakuptueshme.

“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë” tha ai.

Mbi lidhjen që pretendohet në shkresën nga SPAK se ai ka me biznesmenin italian Francesco Zummo, sipërmarrësi ka thënë se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush ai është.

Ndërsa, mbi vendimin, ai deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje.

Ai ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri personalisht, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë./Albanianpost.com/


Shtuar 12.11.2021 11:46