BE i dhuron Policisë Kufitare pajisje me vlerë 2.4 mln euro

Pajisje me vlerë 2,4 milionë euro iu dorëzuan Policisë Kufitare dhe Migracionit nga Bashkimi Europian.

Ambasadorja e Delegacionit të BE, Christiane Hohmann, tha se ky projekt dhe gjithë bashkëpunimi me BE-në në tërësi ndihmon në përgatitjet e Shqipërisë për anëtarësim në union.

“Pajisjet e dorëzuara sot nxjerrin në pah bashkëpunimin solid mes BE-së dhe Shqipërisë në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kjo e bën policinë kufitare më të fortë dhe më efektive për të ofruar siguri më të mirë për shqiptarët, si dhe ndihmon në përgatitjen e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Gjej rastin të falënderoj të gjithë operatorët e vijës së parë për punën e tyre të përditshme dhe të konfirmoj se BE-ja qëndron e përkushtuar t’ju mbështesë në punën tuaj”, tha Hohmann.

Nga Dhërmiu, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se sfida e përbashkët është hapja e kufijve sikundër Shqipëria ka bërë dhe menaxhimi i tyre në mënyrë të sigurt.

“Besoj se tashmë të gjithë jemi dëshmitarë të një realiteti krejt tjetër të Shqipërisë, një Shqipëri tërësisht e hapur për lëvizjen e lirë të mallrave, të njerëzve, dhe sidomos në periudhën e turizmit për të pranuar çdo njeri, që kërkon të kalojë pushimet në Shqipëri”, tha ministri Çuçi.

Çuçi solli në vëmendje bashkëpunimin me FRONTEX si një histori suksesi për të menaxhuar dhe kontrolluar kufijtë e Shqipërisë në mënyrë të sigurtë.

“Kur vjen puna për të menaxhuar në mënyrë moderne dhe të sigurtë kufijtë, sigurisht që teknologjia është një përgjigje që besoj unë na jep një siguri dhe garanci më shumë. Kështu që ky projekt ka një rëndësi të jashtëzakonshme për momentin ku Shqipëria është. Besoj se është në një moment shumë të mirë, siç thatë edhe ju zonja ambasadore, ku policia është në një proces të ristrukturimit, reformimit, qoftë strukturor, por qoftë edhe të investimeve në teknologji”, deklaroi ai.

Ai shtoi se Shqipëria është një vend partner i denjë i BE-së për ruajtjen dhe menaxhimin e kufijve gjeografikë të Europës, por edhe në bashkëpunimin mes policive europiane në luftën kundër krimit të organizuar.

Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha gjatë fjalës së tij se vlerësoi ndihmën e partnerëve tanë për Policinë e Shtetit.

“Shprehim bindjen se asistenca e ofruar nga BE, SHBA dhe gjithë partnerët e tjerë në fushën e legjislacionit dhe përafrimit të tij me legjislacionin komunitar, asistenca për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistikë, asistenca në reformimin e vazhdueshëm në sektorin e sigurisë, si dhe bashkëpunimi çdo ditë dhe më i fortë ndërmjet nesh kanë vijuar ta bëjnë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe eksportues të sigurisë në rajon e më gjerë”, tha Rrumbullaku.

Prej këtij projekti Policia Kufitare dhe Migracionit ka përfituar anije patrullimi, automjete vëzhgimi me sistem kamera vëzhgimi ditën e natën, mikrobusë më radarë, servis të lëvizshëm mirëmbajtjeje, si dhe dy radarë për bregdetin, një në Tale të Lezhës dhe tjetri në Dhërmi.