“Fondet e rindërtimit shpërndahen për zgjedhje”, KQZ letër bashkisë së Durrësit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar me një shkresë zyrtare bashkisë së Durrësit ku kërkon informacione nga kryetarja e Emirjana Sako pas pretendimeve te ngritura nga PD dhe LSI në KQZ se po shpërndahen fondet e rindërtimit për qëllime elektorale.

PD dhe LSI dërguan në KQZ më 2 shkurt denoncimin, duke pretenduar se Bashkia e Durrësit ka miratuar vendime për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit për banesat e dëmtuara në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale, për qëllime elektorale. Në denoncimin e PD dhe LSI është pretenduar se bashkia ka miratuar vendime për miratimin e listave për 526 familje që përfitojnë nga programi i procesit të rindërtimit, për ndërtesat e dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26 nëntor 2019 që variojnë nga 100-500 mijë lek. Këto fonde sipas 2 partive politike  janë përdorur për qëllime elektorale të zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar Bashkie të datës 6 mars 2022.

KQZ vendos afat tre ditë për marrjen e informacionit nga momenti i vënies në dijeni me shkresën.


Shtuar 5.02.2022 15:58