Tensionet në veri të Kosovës, eksperti Karamuço tregon skenarët e rusëve

Prej disa ditësh Veriu i Kosovës është ende i bllokuar nga qytetarët serbë. Ndërkohë, këta të fundit po protestojnë kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç . Ndërsa, kalimi në vendkalimin Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë, pas vendosjes se barrikadave që jane ende prezente.

I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh se duhet të ketë një prezenc shumë më të fortë të NATO-s, EULEX, ndryshe serbët do të shfrytëzojnë hapësira për të ndarë Veriun e Kosovës.

Sipas tij, janë disa sinjale të çuditshme që po ndodhin këto kohë, si për shembull, një ambasador rus ka vizituar repartet ushtarake në Veri të Kosovës dhe një ministër Iranian ka shkuar në Bosnje. Karamuço ka theksuar se mund të jetë i dërguar nga Rusia, e cila mund të jetë duke përgatitur një skenar.

“Shikoja dje forcat speciale kosovare që thoshin: ‘Nuk po ndërhyjmë, ne jemi këtu se po na sulmojnë dhe duam ndihmën e të gjithëve’. Pra e kuptoni se çfarë situate është dhe kjo situatë nuk relativizohet, aty ka policë të plagosur. Si mund të thuash ti që aty ka ca provokime. Jo, absolutisht është e pamundur të ndodhë kjo. Skenarët janë që aty ka shumë benzinë, problemi është që kush do t’i vërë zjarrin dhe Rusia është shumë e predispozuar që nëpërmjet duarve të një tjetri, që mund të jetë edhe Bosnja se është edhe çik problem edhe aty, se këto kohë kemi vizita aty të ministrit të Jashtëm të Iranit aty, ndërkohë ambasadori rus shkon viziton repartet ushtarake në Veri të Kosovës. Ç’punë ka një ambasador rus të shkojë të vizitojë repartet ushtarake në Veri të Kosovës dhe ç’punë ka një ministër Iranian që vjen në kohën më të keqe në marrëdhënie me shqiptarët dhe fillon kontaktet me Serbinë, me Bosnjes, etj. Çfarë po ndodh? Këtu arrin në një konkluzion që këtu duhet të ketë një prezenc shumë më të fortë të NATO-s, EULEX, ndryshe këta do të shfrytëzojnë hapësira për të ndarë Veriun e Kosovës. Këtë kanë qëllim. Targat, sulmet që bëheshin, janë disa shenja. Këta edhe kur nuk do ketë diçka për t’u ankuar, pala serbe, do gjejnë diçka patjetër. Ajo që po ndodh tani është që zgjedhjen u shtynë, këta vazhdojnë me barrikada. Kjo do të thotë që kanë një qëllim tjetër”, tha ndër të tjera ai.